
Kroacia barazon me Marokun
23 nëntor 2022
| 13:11
Kroacia nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim pa gola kundër Marokut në duelin e parë në Katar. Skuadra e Daliq edhe pse luajti disi më mirë nuk konkretizoi shanset që krijoi.
Vlasiq kishte një shans të artë në minutën e 43-të, ndërkohë që në shtesën e pjesës së parë Luka Modriq ishte shumë pranë golit, por tentativa e tij përfundoi ngjitur me shtyllën.
Në pjesën e dytë, Maroku ju afrua golit me një goditje të fuqishme nga Hakimi nga distanca, duke vendosur në provë portierin Livakoviq. Kroacia me kalimin e minutave humbi ndjeshëm freskinë, teksa Modriq i vetëm në mesfushë nuk kishte asnjë prikë referimi në sulm. Një barazim që mban të dyja skuadrat në lojë për kualifikim, me dy sfidat e mbetura që do të jenë vendimtare.