Kronologjia e një zezone

24 nëntor 2025 | 07:59

Sadik Krasniqi

Sevëme Fetiqi, Sad Nallbani, Faik Konica, Prishtinë, 2024

Poetesha e katër vëllimeve me poezi, Sevëme Fetiqi, vjen para lexuesve me librin e katërt me prozë. Monografia e letrarizuar në cilësi të romanit historik, Sad Nallbani, ngërthen në vete një përmbajtje me dendësi ngjarjesh, situatash e rrethanash të një kohe mjaft të gjatë mes viteve 1941-1999. E gjithë vepra është temë e një kro­nologjie të një kohe zezonë për njerëzit e familjes, qyte­tit, rajonit dhe Kosovës.

Në këtë vepër nyjëzohen situatat e rrethanave që përcaktonin fate individësh dhe kombesh, që në të shpesh­tën e rasteve ishin të kobshme. “Drita e diellit dhe lindja e ditës së re për familjet e ushtarëve shqiptarë ishte e kobshme. Atyre nuk iu kthyen djemtë, vëllezërit, prindë­rit dhe burrat. Askush në qytet nuk guxonte të fliste për këtë, ndonëse lajmi kishte marrë dheun”, shprehet autorja. Stoicizmi i shqiptarëve të Kosovës ndëshkohej nga regjimi fashist dhe shërbëtorët e tyre, duke u shkaktuar vuajtje, maltretime, dëbime e pushkatime qytetarëve liridashës.

Vepra përmban ndjeshmërinë e të përjetuarit të thellë gjatë aktit të të shkruarit dhe të lexuarit të saj. Gjithë këtë mori ndodhish e bartin mbi vete personazhet e shumtë të veprës, që janë persona realë. Galerinë e persona­zheve e përbëjnë personat familjarë (të autores), his­torikë e të politikës së regjimit pushtues si dhe veprim­tarët e kohës. Romani titullohet me emër konkret, Sad Nallbani, që është kryeprotagonisti i subjektit, jeta dhe vepra e të cilit i tregohet mbesës (Gëzimes) nga vetë ai, për ta ritreguar ajo të shkruar si roman. Thonë se kur vdes një plak, vdes një arkiv. Është meritë e Sevëme Fetiqit që nuk është shuar ky arkiv kaq esencial, që s’do të harrohet kurrë, por do të lexohet, përjetohet përmes kësaj vepre.

Përderisa pjesa e parë është kujtesë e treguar, rrjedha e romanit vazhdon me ngjarje të përjetuar nga autorja, andaj në këtë vepër kemi shpërfaqje të zërit autorial si element autobiografik.

Romani monografik Sad Nallbani thuret në formë kro­nologjie, sipas ngjarjeve historike të Kosovës, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore, demonstratat 1968, 1981 e deri te lufta e fundit çlirimtare e UÇK-së dhe e NATO-s. Romani përfundon me kaptinën Ademi, që është një rekuiem shumë i përmallshëm, siç di ta përjetojë motra për vëllanë. Ademi, vëllai i Gëzimes (si personazh) dhe vëllai real i Sevëmes, përshkruhet me dhembje estetike, andaj ky personazh vëlla ka përmasat e një monumenti të një njeriu të madh me etikën, atdhedashurinë dhe humanizmin e tij, por që në mënyrë absurde, të padrejtë e tragjike vritet në liri. Romani përfundon si ofshamë e përvajshme: “Kjo botë është e padrejtë, kjo botë është e padrejtë!!!” Vlen të theksohet, si shenjë vëmendjeje për lexuesin, se romanin e shoqëron parathënia e shkrimtarit dhe kritikut të shquar Ibrahim Kadriu, i cili e vlerëson lart: “… e që romani ‘Sad Nallbani’ merr fuqinë e një tragjedie kombëtare shqiptare, pikërisht atëherë (si edhe hera të tjera) kur vendoset për fatin e shqiptarëve të shkapër­derdhur e lënë në mëshirën e pushtuesve, që në realitet janë gjakpirës, kriminelë e të pacipë, mashtrues e, mbi të gjitha, të etshëm për gjenocid ndaj shqiptarëve”. Në fund, duke ditur që të shkruarit është mbamendje e për­jetshme, Sevëme Fetiqi ka kryer një obligim moral ndaj familjes dhe qytetit të saj, Vushtrrisë, dhe më gjerë, e që ky obligim moral është gjithsesi edhe rrëfim estetik që do të lexohet e shijohet nga çdo lexues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës sot pritet të caktojë kandidatin për…