Kryebashkiaku italian ofron dhi falas për këdo që mund t’i kapë ato

05 prill 2024 | 15:16

Kryetari i një ishulli italian po përpiqet të zgjidhë një problem të mbipopullimit të kafshëve, me një ofertë të pazakontë: dhi falas për këdo që mund t’i kapë ato.

Riccardo Gullo, kryebashkiaku i Alicudit në arkipelagun Aeolian të Siçilisë, ka prezantuar një program “adopto-dhitë” kur popullsia e dhive të egra të ishullit të vogël u rrit në gjashtë herë më shumë se popullsia njerëzore prej rreth 100 banorësh.

Gullo ka thënë se kushdo që i dërgon një kërkesë qeverisë lokale me e-mail dhe paguan një “tarifë pullash” prej 17 dollarësh, mund të marrë aq dhi sa të dëshirojnë, për sa kohë që i transportojnë jashtë ishullit brenda 15 ditëve nga miratimi.

“Çdokush mund të bëjë një kërkesë për një dhi, nuk duhet të jetë fermer dhe nuk ka kufizime në numra”, ka thënë ai për “The Guardian”.

Ai ka thënë se skema është aktualisht në dispozicion deri më 10 prill, por se do ta zgjasë afatin derisa popullata e dhive të kthehet në një numër më të menaxhueshëm.

Kryebashkiaku ka thënë se zyrtarët nuk do të hetojnë qëllimet e pronarëve të mundshëm të dhive, por “në mënyrë ideale, ne do të dëshironim të shihnim njerëzit të përpiqeshin t’i zbusin kafshët, në vend që t’i hanë ato”.

Tufa e dhive të ishullit e ka origjinën rreth 20 vjet më parë, kur ata supozohet se u sollën në Alicudi nga dikush që synonte t’i mbarështonte, por ata përfunduan duke u endur dhe u egërsuan.

Dhitë janë bërë një tërheqje e madhe turistike për ishullin, por Gullo ka thënë se bumi i popullsisë ka bërë që kafshët të përhapen përtej habitatit të tyre të zakonshëm për të pushtuar kopshtet dhe shtëpitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tifozët serbë zgjedhin të provokojnë me parulla nacionaliste në drejtim…