Jon Ossoff fiton në Georgia: Kush është demokrati i moderuar që cilësohet si “Obama i bardhë”, synon Shtëpinë e Bardhë
Jon Ossoff ka fituar një tjetër mandat në Senatin amerikan, duke u kthyer në një nga figurat më të përfolura të Partisë Demokratike dhe një kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Senatori 39-vjeçar nga Georgia krahasohet shpesh me Barack Obamën për stilin e komunikimit, energjinë dhe aftësinë për të tërhequr mbështetësit. Edhe pse Ossoff ka mohuar se synon të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë, emri i tij është tashmë ndër më të diskutuarit për nominimin demokrat. Fitorja merr rëndësi të veçantë pasi Georgia votoi për Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ossoff arriti të mposhtë rivalin republikan Mike Collins, i cili ishte përfshirë në disa polemika, mes tyre publikimi i përmbajtjeve raciste dhe antisemite nga persona të rrethit të tij, si dhe një hetim për përdorimin e dyshuar të papërshtatshëm të fondeve publike. Pas humbjes së vitit 2024, demokratët po kërkojnë një figurë të re që mund të bashkojë partinë dhe të përballet me Trumpin.
Ossoff duket se përfaqëson një kombinim të moderimit në politikat publike dhe qëndrimeve të ashpra ndaj presidentit. Në një tubim në Atlanta, ai e akuzoi Trumpin për korrupsion, paaftësi dhe keqmenaxhim të luftës në Iran, duke e lidhur këtë të fundit edhe me rritjen e çmimeve të karburanteve.
Senatori ka ndërtuar profilin e tij politik përmes hetimeve ndaj qeverisë dhe denoncimit të konflikteve të interesit dhe abuzimeve me pushtetin. Në fillimet e karrierës punoi me John Leuis, një prej figurave historike të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA, ndërsa më vonë drejtoi një kompani që prodhonte dokumentarë investigativë për korrupsionin ndërkombëtar. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të fituar një vend në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2017, ai fitoi zgjedhjet për Senatin në vitin 2021, me 50.6 për qind të votave. Së bashku me Raphael Uarnock, ndihmoi demokratët të siguronin kontrollin e Senatit.
Megjithatë, qëndrimet e tij të moderuara mund të krijojnë përplasje me krahun progresist të demokratëve. Ossoff nuk mbështet eliminimin e sigurimeve shëndetësore private përmes programit Medicare for All, ndërsa për emigracionin dhe sigurinë kufitare ka mbështetur edhe masa më të forta kontrolli. Edhe për çështjen e Izraelit ka mbajtur qëndrime të ndryshme, duke votuar herë pro dhe herë kundër furnizimit me armë.
Këto pozicione mund ta ndihmojnë të tërheqë votues të moderuar dhe të pavarur, por njëkohësisht ta ekspozojnë ndaj kritikave nga e majta. Për momentin, Ossoff nuk ka konfirmuar ambiciet presidenciale, por fitorja në Georgia e ka forcuar ndjeshëm profilin e tij në një parti që po kërkon liderin e ardhshëm përballë Trumpit.



