Kryediplomati i Malit të Zi: Nuk e shohim si çështje të hapur demarkacionin

21 mars 2019 | 11:28

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviq.

Dy kryediplomatët kanë realizuar këtë takim në njëvjetorin e ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin në mes të shteteve.

Ministri Darmanoviq ka thënë se për Malin e Zi tema e demarkacionit është e mbyllur.

“Problemi është i zgjidhur. Nuk e shohim si çështje të hapur mes dy vendeve. Nuk ka pika kontestuese” ka thënë Darmanoviqi.

Kryediplomati malazez ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën.

“Ne e përkrahim dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës. Nga ish-Jugosllavia kanë ngelur tre probleme. Çështja e emrit të Maqedonisë e cila është zgjidhur, e dyta marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe problemi i tretë që është funksionaliteti i Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Sa i përket çështjes së dytë ne ju dëshirojmë të gjitha të mirat Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin këtë çështje në mënyrën më të mirë dhe në fund të rrugëtimit të ketë njohje reciproke”, ka thënë Darmanoviqi, duke shtuar se Mali i Zi është i brengosur për idenë e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme. Në qofte se mund t’ju ndihmojmë diçka – këtu jemi. Kemi disa brenga për idenë e korrigjimit të kufirit. Nuk është ideja më e mirë, mirëpo nëse është ideja më e mirë për fqinjët tanë nuk e kemi problem”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, në kuadër…