Kryediplomati kroat: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 shpëtoi jetë

03 mars 2026 | 14:09

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, duke komentuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, ka rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Ai ka thënë se NATO kishte parandaluar një katastrofë humanitare edhe pse nuk kishte mandat të Kombeve të Bashkuara.

Kryediplomati kroat, ka thënë se nga viti 1945 në botë kanë ndodhur rreth 170 konflikte pa mandat të OKB-së dhe se veprimi operacional i kësaj organizate është penguar shpesh nga vetoja në Këshillin e Sigurimit, raporton “HRT”.

Ai ka folur për situatën me Kosovën në vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s, me të cilën ishte parandaluar një katastrofë humanitare dhe u shpëtuan shumë jetë, edhe pse nuk kishte mandat të OKB-së.

Komentet ai i ka bërë pas mbledhjes së kryesisë së Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), ku është diskutuar për zhvillimet në Lindjen e Mesme, si dhe për vendimin e presidentit Zoran Milanoviq për tërheqjen e ushtarëve kroatë nga Iraku dhe një nga Libani.

Grliq Radman ka theksuar se Kroacia, si anëtare e OKB-së dhe e NATO-s, ka detyrime të caktuara ndërkombëtare, duke shtuar se përmes misioneve ndërkombëtare vendi tregon solidaritet, njësoj siç kishte përshëndetur praninë e forcave ndërkombëtare gjatë Luftës së Atdheut.

Duke komentuar sulmet ndaj Iranit, ai ka thënë se thirrjet ndërkombëtare për ndalimin e programit iranian të raketave balistike dhe atij bërthamor nuk kanë dhënë rezultat, ndërsa shprehu keqardhje për mungesën e fleksibilitetit dhe besueshmërisë së negociatorëve iranianë, gjë që, sipas tij, çoi në ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së dhe Izraelit. /RTK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lindita Qela nga Abria e Epërme shpall të pavlefshme deftesën…