Presidenti nuk është kalkulim partie, është standard shtetëror dhe garant i tij
Shkruan: Hisen Berisha
Mbështetja për Presidentin e Republikës nuk mund të trajtohet si pazare momentale apo si improvizim i minutës së fundit. Nëse do të kishte seriozitet institucional, kjo çështje duhej të ishte pjesë integrale e marrëveshjes për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të Dhjetorit. Presidenti nuk zgjidhet për të amortizuar krizën e radhës politike, por për të garantuar kontinuitetin kushtetues, sovranitetin dhe orientimin strategjik të shtetit.
Fakti që nga partitë tona nuk ka dalë ende një emër i konsoliduar për Presidencën, ndërsa në hapësirën publike qarkullojnë vetëofrime të perceptuara si alternativa të përkohshme, është tregues i qartë i një boshllëku politik të krijuar me vetëdije. Kjo nuk është mungesë rastësore, është shmangie e debatit serioz mbi rolin kushtetues të Presidentit në një moment delikat për shtetin.
Të vetëofruarit, në retrospektivë, lexohen përmes një diskursi publik që lëkundet mes poltronizmit dhe pseudo-kritikës, si dhe përmes lavdërimeve selektive ndaj liderëve apo rrethit të tyre, në përpjekje për të fituar kapital politik personal. Kjo logjikë e tregut politik e redukton institucionin në objekt marketingu dhe e zhvesh nga pesha e tij strategjike.
Në një kohë kur vendi përballet me tensione të brendshme, sfida të sigurisë dhe polarizim institucional, Presidenca nuk mund të trajtohet si kompromis taktik për të zgjidhur ekuacione partiake. Ajo është hallkë kyçe e sigurisë kombëtare, garant i unitetit të popullit dhe faktor stabiliteti në arkitekturën kushtetuese të shtetit.
Prandaj, çështja e Presidentit nuk është çështje simpatie, as balancash momentale pushteti. Është çështje përgjegjësie historike. Dhe përgjegjësia nuk matet me marketing, por me integritet, pjekuri shtetërore dhe kredibilitet kombëtar.
Sa i përket Familjes emblematike Jashari të Prekazit, çdo përpjekje për ta futur emrin e tyre në kalkulime të politikave të ditës përbën devijim të rrezikshëm nga etika shtetformuese, çorientim të qëllimshëm të opinionit publik dhe degradim të simbolikës kombëtare. Ta përdorësh simbolin më të lartë të sakrificës si kartë politike për të blerë kohë, për të matur pulsin e opinionit dhe, në fund, për ta vënë opozitën sërish para aktit të kryer, siç pritet të ndodh me rikandidimin dhe zgjedhjen e Vjosa Osmanit, nuk është thjesht manovër taktike apo strategji politike, është reduktim i historisë në mjet taktik dhe instrumentalizim i sakrificës për përfitim të momentit. Simbolet e luftës dhe të flijimit kombëtar nuk janë kapital elektoral, nuk janë mburojë për kalkulime pushteti dhe as kartë emocionale për të zëvendësuar mungesën e konsensusit politik. Shteti serioz ndërtohet mbi përgjegjësi, jo mbi simbolikë të keqpërdorur. Presidenti i Republikës nuk zgjidhet me emocione të dirigjuara, as me patetizëm patriotik të vonuar nga ata që në kohët vendimtare kanë pasur deficit qëndrueshmërie; ai duhet të jetë figurë me integritet të pakontestueshëm, me peshë morale dhe me aftësi për të garantuar unitetin institucional dhe sigurinë kombëtare, sepse Presidenca është çështje e sigurisë kombëtare, jo e marketingut politik.
Vjosa Osmani nuk duhej të ishte as kandidate, e aq më pak të mbështetej, përderisa ka përkrahur procese politike që kanë futur Kosovën në përplasje me aleatët strategjikë dhe e kanë vendosur vendin në një situatë ndërkombëtare të paqartë dhe të rrezikshme. Marrëveshja e Brukselit, e njohur si Plani Franko-Gjerman, me konceptin e “vetëmenaxhimit”, dhe Aneksi i Ohrit me projekt-Statutin e Asociacionit, që i japin kompetenca ekzekutive, nuk janë instrumente bashkëpunimi, por rrezik real për sovranitetin politik dhe integritetin territorial të shtetit. Deklarimi i Presidentes Osmani më, se “Kosova mund t’i zbatojë këto marrëveshje njëanshmërisht” ishte një veprim politikisht i pamatur dhe diplomatikisht i rrezikshëm, që shkaktoi pasiguri dhe tension në marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Referimi më vonë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, tregon luhatje, vonesë strategjike dhe mungesë qartësie institucionale, duke dëmtuar rëndë kredibilitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Ky veprim tregon se për Presidencën nuk mjafton imazhi apo patetizmi patriotik i vonuar, nuk mund të bëhet lojë politike me simbolin reprezentues të shtetit. Presidenca duhet të mbrohet me integritet, vizion strategjik dhe aftësi për të garantuar unitetin institucional dhe sigurinë kombëtare, sepse nuk është kartë taktike, as instrument marketingu politik, ajo është garant i sovranitetit dhe i të ardhmes së shtetit.
Manipulimi me simbole, me emra të mëdhenj të historisë, si baca Adem Demaçi, apo me figura të luftës, për të kaluar kriza politike, është model i njohur tashmë shkollë e vjetër.
Krijimi i narrativave paralele gjatë luftës dhe pas saj, përmes strukturave informale dhe ndikimeve të errëta, ka qenë pjesë e një strategjie të vjetër për të kontrolluar rrjedhën politike. Sot, po vërehet i njëjti model në mënyrën se si hapen e mbyllen opsione presidenciale në media, ndërkohë që realisht kandidat i vetëm mbahet, ai që i shërben status quo-së politike me mision për ta zhbërë Kosovën konstitucionalisht, nga statusi i shtetit të pavarur.
Nëse zgjedhja e Presidentit e çon vendin në krizë, atëherë lind dyshimi i arsyeshëm, se kriza është pjesë e strategjisë. Pra, të shkohet në zgjedhje për të krijuar një status quo të re, për të zvarritur implementimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, dhe për ta futur vendin në një fazë të ndërmjetme, “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”. Një “Republikë e Tretë” e paemërtuar, që do të ishte tradhti dhe regres historik krahasuar me sakrificën e bërë për shtetin sovran.
Kosova ka nevojë për një President që vendos vija të kuqe të qarta ndaj çdo devijimi nga sovraniteti kushtetues.
Ky President duhet të jetë një personalitet me kredi politike dhe historike, i njohur për legjitimitetin e tij nga periudha e luftës, dhe që kupton çmimin e lirisë, jo thjesht si koncept juridik, por si sakrificë reale.
Në këtë kontekst, brenda dhe jashtë Kuvendit ekzistojnë personalitete me integritet të pakontestueshëm, të afta të përmbushin këtë rol dhe të mbrojnë orientimin shtetëror përballë ekzekutivit.
Vota për një President që shihet vetëm si zgjatim i vullnetit të një partie, e jo si balancë kushtetuese, është votë që dobëson shtetin dhe nxit rrezikun institucional. Opozita mban përgjegjësi historike për ta ndalur këtë kërcënim dhe duhet të përdorë çdo mjet demokratik dhe kushtetues në dispozicion për të mbrojtur stabilitetin dhe integritetin e shtetit.
Shteti i Kosovës nuk është projekt i përkohshëm partiak. Ai është produkt i gjakut, i investimit jetësor dhe i një të drejte historike për vetëvendosje dhe sovranitet. Si ish-komandantë dhe si njerëz që kemi investuar jetën në këtë ideal, kemi detyrën morale dhe historike të ngremë zërin kur shohim devijime që rrezikojnë identitetin dhe integritetin shtetëror.
Presidenti i Republikës duhet të jetë mbrojtës i Kushtetutës, i sovranitetit dhe i integritetit territorial, jo instrument i kalkulimeve afatshkurtra. Në këtë moment vendimtar, zgjedhja nuk është mes emrave, është mes ruajtjes së shtetit ose rrëshqitjes së tij në pasiguri dhe dobësim institucional.



