Kryediplomati shqiptar takohet me shefin e NATO-s, diskutojnë edhe për Kosovën

07 maj 2026 | 14:19

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku është diskutuar mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe rolin e Aleancës.

Hoxha është shprehur se takimi vjen në një kohë kur Shqipëria po merr më shumë angazhime dhe përgjegjësi brenda NATO-s.

“Ndamë mendimin se në mjedisin e sotëm të sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si edhe zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes, mbeten prioritete për parandalimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë transatlantike”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, Shqipëria ka dëshmuar vazhdimisht veten si një aleat i besueshëm dhe aktiv, duke rritur investimet në mbrojtje, modernizuar Forcat e Armatosura dhe marrë pjesë në misionet e NATO-s.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën përmes mekanizmave të NATO-s, përfshirë trajnimin, ndihmën dhe ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Hoxha dhe Rutte kanë riafirmuar se angazhimi i NATO-s mbetet thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Hoxha ka vënë në dukje edhe rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë si një rol të domosdoshëm stabilizues.

Gjatë takimit është diskutuar edhe përgatitja e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i pari samit i Aleancës që do të mbahet në Ballkanin Perëndimor.

“Ky angazhim përfaqëson një përgjegjësi historike dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit tonë”, ka thënë Hoxha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për…