Kryeministri Kurti bën homazhe në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 25-vjetorit të rënies së tyre

07 gusht 2023 | 20:24
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 25-vjetorit të rënies së tyre.
 
Familja Lleshi, tha kryeministri Kurti, ka dhënë kontribut të çmuar dhe sakrifica të vazhdueshme edhe në kryengritjet dhe luftërat çlirimtare para kësaj të fundit, vartëse e së cilës ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
 
Sot jemi këtu në Vraniq të Gjakovës për të bërë homazhe, për të bërë nderime, për t’u përkulur, për të përkujtuar rënien heroike të dëshmorëve të familjes Lleshi, të Markut edhe të Kolës, të cilët këtu e 25 vjet më parë saktësisht pra më 7 gusht të vitit 1998 duke mbrojtur shtëpitë, popullsinë, dhe trojet e tyre, ranë heroikisht, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe, u shpreh ai.
 
Duke lartësuar kontributin e kësaj familjeje, kryeministri veçoi se familja Lleshi është një familje punëtore në paqe e luftëtare për çlirim, në kohëra lufte.
 
Andaj edhe ne sot i kujtojmë me  shumë mall e pikëllim por natyrisht edhe me krenari e përgjegjësi që në njërën anë patëm këso djemsh të Kosovës për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar dhe në anë tjetër me përgjegjësi si institucione të shtetit që nuk duhet të harrojmë asnjëherë se prej nga vjen liria, çlirimi, pavarësia e shteti dhe se brezat e ardhshëm duhet të jetojnë shumë më mirë me një ushtri që na mbron, u shpreh kryeministri.
 
Në këto homazhe, kryeministri shoqërohej nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë​ dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,​ ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe deputeti Agon Batusha.
 
Deklarimi i plotë i kryeministrit:
 
Familja Lleshi ka dhënë kontribut të çmuar dhe sakrifica të vazhdueshme edhe në kryengritjet dhe luftërat çlirimtare para kësaj të fundit vartëse e së cilës ishe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sot jemi këtu në Vraniq të Gjakovës për të bërë homazhe, për të bërë nderime, për t’u përkulur, për të përkujtuar rënien heroike të dëshmorëve të familjes Lleshi, të Markut edhe të Kolës, të cilët këtu e 25 vjet më parë saktësisht pra më 7 gusht të vitit 1998 duke mbrojtur shtëpitë, popullsinë, dhe trojet e tyre, ranë heroikisht, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe.
Më 28 janar të vitit të ardhshëm  do ta shënojmë edhe 25 vjetorin e Prenit edhe të Memës, pra të dy dëshmorëve të tjerë të së njëjtës familje të cilët kanë rënë heroikisht në betejën e Godemit.
Është një familje që ka dhënë shumë, një familje që është punëtore në paqe e luftëtare për çlirim, në kohëra lufte andaj edhe ne sot i kujtojmë me shumë mall e pikëllim por natyrisht edhe me krenari e përgjegjësi që në njërën anë patëm këso djemsh të Kosovës për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar dhe në anë tjetër me përgjegjësi si institucione të shtetit që nuk duhet të harrojmë asnjëherë se prej nga vjen liria, çlirimi, pavarësia e shteti dhe se brezat e ardhshëm duhet të jetojnë shumë më mirë me një ushtri që na mbron prandaj edhe këtu bashkë me mua përveç ministres Rozeta Hajdari është edhe ministri Armend Mehaj. Shqiptarët gjithmonë kanë dashur të kenë një ushtri e cila i mbron në kohë të vështira  e të rënda lufte dhe që i bën krenarë në kohëra paqe dhe e tillë është  Forca e sigurisë sonë.
 
 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me…