Kryeministri Kurti mirëpriti veprimtarë të viteve 1968 dhe 1981

15 prill 2024 | 21:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë për një takim të përzemërt mbi 20 veprimtarë të viteve 1968 dhe 1981, dikur studentë e të burgosur politikë të regjimit të Serbisë.

Teksa diskutuan e kujtuan përndjekjen politike, torturat e tmerrshme, dhunën sistematike që regjimi i Jugosllavisë dhe pastaj i Serbisë ushtroi mbi aktivistë e veprimtarë shqiptarë dhe masakrat e shumta të cilat po shënojnë këtë vit 25-vjetorin e tyre, u theksua domosdoshmëria e dokumentimit – në mënyrë shkencore – të krimeve të shumta të para dhe gjatë luftës, përfshirë këtu edhe torturat që aktivistët shqiptarë kanë përjetuar në burgje. Në këtë drejtim, veprimtarët dhe ish të burgosurit politikë mund të luajnë një rol të rëndësishëm.

Gjithashtu u potencua rëndësia e informimit të brezave të rinj në lidhje me kauzën që kanë ndjekur të burgosurit politikë, ndikimin e demonstratave të viteve 1968, 1981, 1989 dhe 1997, dhe rolin e tyre në mobilizimin e shoqërisë për çlirim dhe Republikë. Në këtë takim të përbashkët, përkrah kryeministrit ishte edhe Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë luftës, Atdhe Hetemi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të hënën se ka thirrur…