Kurti: Përmes Planit Një Miliard Euro synojmë zëvendësimin e importeve me prodhim vendor
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria synon të rrisë prodhimin vendor dhe të zëvendësojë importet përmes Planit Një Miliard Euro.
Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në kuadër të aktivitetit
“Data4Breakfast”, gjatë tri mëngjeseve të punës, kanë dëgjuar përfaqësues të bizneseve nga sektorët e tregtisë me pakicë, përpunimit të ushqimit dhe prodhimit të pijeve joalkoolike.
Ai ka theksuar se sektori i pijeve përfaqëson një nga shembujt e potencialit prodhues dhe eksportues të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se zgjerimi i mëtejshëm i këtij sektori kërkon kushte që u mundësojnë kompanive të investojnë, të prodhojnë dhe të depërtojnë në tregje të reja.
Kurti ka bërë të ditur se, krahasuar me vitin 2021, eksporti është rritur për 27,5 për qind, duke shtuar se kjo rritje është katër herë më e shpejtë se ajo e importit.
Ai ka përmendur edhe rritjen e pagës minimale nga 170 në 500 euro, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe të punësimit të të rinjve.
Sipas Kurtit, pagat më të mira dhe shtimi i vendeve të punës ndikojnë edhe në rritjen e fuqisë blerëse për produktet vendore.
“Prandaj, në treg fitohet me produkt e cilësi, ndërsa duhet të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe rregulla të barabarta për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Në fund, ai ka paralajmëruar se në vitin 2027 do të rikthehen në të njëjtat takime për të vlerësuar së bashku rezultatet e arritura.



