Kryeministri Kurti mori pjesë në mbledhjen komemorative në nderim të veprimtarit dhe të burgosurit politik, Afrim Morina

25 maj 2024 | 18:12

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të aktivistit dhe të burgosurit politik, dhe  veprimtarit, Afrim Morina, u cili vdiq dje, në prag të ditëlindjes së tij të 73-të.

Në këtë mbledhje komemorative së bashku me kryeministrin Kurti ishin ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, deputetët Gani Krasniqi, Enver Dugolli e Salih Zyba dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të cilët u mirëpritën nga Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë e miq të Afrim Morinës.

“Sivjet më 12 qershor, do të mbushen fiks 25 vjet nga çlirimi i vendit tonë  nga Serbia okupatore,  pushtuese.  E kjo ditë, erdhi para 25 vitesh edhe falë angazhimit të njerëzve sikur Afrimi dhe të gjeneratës së cilës i takon ai. Qysh si 17 vjeçar, Afrim Morina ishte ndër organizatorët e nxënësve të gjimnazit dhe të normales së Suharekës, në demonstratat e vitit 1968. Gjatë rinisë së hershme, ai bashkëthemeloi disa grupe letrare, e që për kohën të tillat nuk ishin vetëm artistike por edhe patriotike e politike”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai kujtoi se Afrim Morina, u dënua dhe u burgos nga regjimi i Beogradit katër herë: më 2 prill 1974, më 26 maj 1981, më 9 maj 1990 dhe më 16 dhjetor 1991, duke i kaluar gjithsej gjashtë vjet e gjysmë në burg, vetëm për shkak të aktivitetit  të tij politik, nga organizatat ilegale e te subjekti politik, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, si zëvendëskryetar i saj, në kohën kur kryetar i saj  ishte Profesor Ukshin Hoti.

Duke përkujtuar figurën e tij si një intelektual dhe njeri i drejtë, kryeministri theksoi se një jetë si e Afrim Morinës, e kaluar me aktivitete letrare dhe politike, me burgosje politike dhe angazhim intelektual, e bëri Afrimin një njeri me shumë mendim dhe që kishte shumë për të thënë, e për të dhënë, dhe si rezultat një nga aktivistët politikë më të angazhuar të brezit të tij të të burgosurve politikë.

“Afrim Morina e udhëhoqi në Suharekë fushatën aq njerëzore si dhe politikisht e kombëtarisht shumë të dobishme për pajtimin e  gjaqeve dhe të ngatërresave në vitin  1991. Për një kohë, ai qe edhe nënkryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga vitet e rinisë së hershme dhe deri në kohën e luftës në Kosovë, Afrim Morina ishte veprimtar i disa organizatave ilegale të kohës, sikur Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) si dhe Fronti i Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar (FRBK)”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë kësaj mbledhje, që u mbajt në hapësirat e Bibliotekës së qytetit “Hajdin Berisha”, kryeministri Kurti gjithashtu nderoi edhe veprën intelektuale të shkruar të Afrimit. Në vitin 2015 ai kishte botuar të plotë vepren e tij me titullin përmbledhës “Arka e kujtimeve”, e që përfshin gjithsej 18 vepra me poezi, drama, romane, publicistikë, filozofi politike dhe kujtime.

Pas mbledhjes komemorative, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë e bashkëpunëtorë, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit, Afrim Morina, në fshatin Reshtan të Suharekës

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Morina,

I nderuari Kryetar i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj,

I nderuari nënkryetar i Kuvendit të Republikës, Enver Hoxhaj,

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Gani Krasniqi dhe Salih Zyba,

Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe atyre komunale, 

Bashkëveprimtarë e miq të Afrim Morinës, po shoh shumë këtu, nga baca Sokol të Sherif Konjufca, të Ismet Gashi, të Haki e Myrvete Kosumi, të Agim Sylejmani e kështu me radhë.

Më vjen mirë t’ju gjejë e t’ju shoh kështu të bashkuar këtu në Suharekë, teksa sot u bashkova edhe unë me juve, sepse sa herë që një komunitet njerëzish bëhen bashkë, një sinergji e vetëvetishme dhe e dobishme zhvillohet midis tyre e për të gjithë. Madje edhe në raste sikur kjo kur qëllon që jemi mbledhur për diçka të dhimbshme, edhe vetë dhimbja e mërzia bëhen më të përballueshme kur jemi bashkë dhe marrin një lloj trajte zgjimi për të gjithë  ne.

Në vazhdën e obligimeve tona ndaj atyre që kanë rezistuar dhe janë përpjekur për lirinë e atdheut tonë, ne të gjallët i kemi dy obligime të fundit ndaj tyre. I pari obligim dhe i parafundit ndër të tjerë, është që ta nderojmë atë personalisht dhe t’ia kujtojmë veprën individualisht kur të mos jetë më në mesin tonë; dhe obligimi ynë i dytë dhe i fundit por më jetëgjati, është që t’i ruajmë dhe mirëmbajmë idealet e atyre njerëzve gjatë rrugëtimit tonë të mëtutjeshëm dhe të ecim të drejtuar prej tyre.

Andaj jemi sot këtu në Suharekë, për ta nderuar veprën dhe vetë jetën e Afrim Morinës, aktivistit dhe të burgosurit politik, që na la dje, pak ditë para se të bëhej 73 vjeçar. Afrim Morina ka lindur më 1951, në një datë, që në ditën kur ai do të bëhej 48 vjeçar, ajo datë do të bëhej dita e çlirimit të Kosovës, pra Afrimi ka lindur më 12 qershor. Sivjet më 12 qershor, do të mbushen fiks 25 vite nga çlirimi i vendit tonë  nga Serbia okupatore,  pushtuese.  E kjo ditë, erdhi para 25 vitesh edhe falë angazhimit të njerëzve sikur Afrimi dhe të gjeneratës së cilës i takon ai. Qysh si 17 vjeçar, Afrim Morina ishte ndër organizatorët e nxënësve të gjimnazit dhe të normales së Suharekës, në demonstratat e vitit 1968. Gjatë rinisë së hershme, ai bashkëthemeloi disa grupe letrare, e që për kohën të tillat nuk ishin vetëm artistike por edhe patriotike e politike.

Afrim Morina e udhëhoqi në Suharekë fushatën aq njerëzore si dhe politikisht e kombëtarisht  shumë të dobishme për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave në vitin  1991. Për një kohë, ai qe edhe nënkryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga vitet e rinisë së hershme dhe deri në kohën e luftës në Kosovë, Afrim Morina ishte veprimtar i disa organizatave ilegale të kohës, sikur Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) si dhe Fronti i Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar (FRBK).

Për aktivitetin e tij politik, Afrim Morina u dënua dhe u burgos nga regjimi i Beogradit katër herë: më 2 prill 1974, më 26 maj 1981, më 9 maj 1990 dhe më 16 dhjetor 1991, duke i kaluar gjithsej gjashtë vjet e gjysmë në burg. Aktivistët politikë që janë burgosur politikisht sikur Afrim Morina, shumë prej të cilëve i kemi edhe këtu sot, e dijnë se koha e kaluar në burg për bindje politike, është kohë që përgjithësisht ua vulos profilin e ideve politike dhe të aktivizmit politik. Kështu ndodhi edhe me Afrim Morinën, i cili aktivitetin politik nga organizatat ilegale e barti te subjekti politik, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, si zëvendëskryetar i saj, kur kryetar i saj ishte Profesor Ukshin Hoti, të cilit para dhjetë ditëve ia shënuam 25-vjetorin e zhdukjes pas lirimit në burgun e Dubravës.

Një jetë si kjo e Afrim Morinës, e kaluar me aktivitete letrare dhe politike, me burgosje politike dhe angazhim intelektual, e bëri Afrimin një njeri me shumë mendim dhe që kishte shumë për të thënë e për të dhënë. Unë kam shumë takime, rrjedhimisht edhe kujtime me Afrim Morinën sepse ai nuk linte protestë e demonstratë që thirrej pa marrë pjesë, demonstratë e protestë ku thirrej populli dhe nuk linte mbledhje e tubim pa marrë pjesë, mbledhje e tubim ku thirrej ai veçmas.

Afrim Morina, është njëri prej atyre veprimtarëve që vjen në punë e në takim, në betejë e në ballafaqim e kurrë nuk i del një punë tjetër. Nuk i del asnjëherë ndonjë angazhim tjetër që do t’a bënte të thoshte se më vjen keq, ju kërkoj falje apo diçka të ngjashme. Ne të tjerët kemi mundur t’i kërkojmë falje Afrim Morinës, por ai s’ka pasur asnjëherë arsye t’i kërkoj falje asnjërit prej neve, se ka qenë në ballë të detyrës në çdo kohë para çdonjërit. Dhe në këto takime me të, përherë i këndshëm dhe i dashur, mirëpo më duhet ta them që shpesh pak i vështirë e nganjëherë edhe tronditës, sepse Afrim Morina gjithnjë të vërtetën e thoshte troç, e asnjëherë drejtësisë si bëntë lak.

Prandaj, ne që jemi sot këtu dhe shumë të tjerë që e njohën i kemi shumë borxh për autenticitetin edhe si mënyrë jetese e sjellje, jo vetëm si qasje veprimi e mendimi.

Por, Afrim Morina nuk na i ka lënë vetëm kujtimet e takimeve me të, e të punës e veprimtarisë që ka bërë. Në vitin 2015, ai e botoi të plotë veprën e tij të shkruar, në të cilën pas titullit përmbledhës “Arka e kujtimeve”, u sistemuan gjithsej 18 vepra me poezi, drama, romane, publicistikë, filozofi politike dhe kujtime. Kështu nga profili i tij intelektual dhe politik, Afrim Morina rezulton të ishte një nga aktivistët politikë më totalisht të angazhuar të brezit të tij të të burgosurve politikë.

Duke e nderuar veprën e Afrim Morinës dhe duke e kujtuar atë bashkë me të ndodhurat e jetës së tij në ditën e lamtumirës sonë me të, ne e nderojmë jo vetëm Afrimin por gjithë gjeneratën e tij të të burgsoruve politikë dhe çfarë ata përfaqësojnë.

Nderime dhe mirënjohje veprës dhe trashëgimisë së angazhimit politik të Afrim Morinës, mes shokëve të tij të aktivizmit, të rezistencës e të idealit për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.

Ngushëllime familjes Morina, ngushëllime të gjithë juve që jeni bashkuar në nderim të jetës dhe të veprës së Afrim Morinës!

Lavdi, e ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër shqiptarët e Kosovës të cilët u arrestuan nga Trafiqet…