Kryeministri Kurti priti në takim fitueset e medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror

02 nëntor 2023 | 15:25

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani kanë pritur në takim ekipin e Kosovës në karate, në konkurrencën e vajzave, i përbërë nga Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Hatixhe Zejnullahu dhe Albulena Gervalla, i cili ka fituar medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të Karatesë, që u mbajt nga 24-29 tetor në Budapest të Hungarisë.

“Me këtë rast, kryeministri Kurti i uroi për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror, në të njëjtën kohë u dëshiroi atyre suksese të mëtejme duke i siguruar mbështetje institucionale në mënyrë që të vazhdojnë me rezultate e suksese tjera”, shkruan zyra e Kryeministri Kurti.

Sportistet falënderuan kryeministrin Kurti për pritjen dhe mbështetjen. Gjatë bashkëbisedimit ato ndanë me të përvojat e tyre nga pjesëmarrja në kampionat dhe rrugëtimin e tyre në karrierën profesionale. Ky sukses vlerësohet historik pasi që është fituar për herë të parë në konkurrencën e femrave dhe në nivel ekipor në karate.

Kosova në këtë kampionat regjistroi katër fitore duke mposhtur Anglinë, Zvicrën, Francën dhe Kazakistanin dhe vetëm një humbje, nga Japonia, e cila më pas arriti deri në final. Vlen të theksohet në këto pesë meçe të Kosovës, karateistja Fortesa Orana ka qenë e pamposhtur duke shënuar pesë fitore. Në këtë garë, morën pjesë gjithsej 55 shtete nga e gjithë bota.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli u ka kërkuar vendeve që të dërgojnë anije spitalore…