Kryeministri Kurti vizitoi Telekomin – Vala e Kosovës vitin 2025 po e përmbyll me rreth 10 milionë euro fitim
Pas vizitës që bëri në Postën e Kosovës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe këtu me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi Telekomin e Kosovës. Aty u mirëprit nga Kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana dhe pjesëtarë tjerë të menaxhmentit.
“Në vitin 2023, mbi 7 milionë euro fitim, në vitin 2024, sërish mbi 7 milionë euro fitim dhe sivjet rreth 10 milionë euro fitim. Kjo do të thotë që për këto tri vite, Telekomi i Kosovës ka performancë shumë pozitive financiare, me rreth 25 milionë euro fitim gjithsej”, u shpreh kryeministrit Kurti pas vizitës, teksa përgëzoi menaxhmentin, Bordin e Telekomit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e Telekomit për këto sukseset e arritura.
Ai shtoi se: “Telekomi publik i Kosovës apo Vala e Kosovës, është lider në shërbimet e telefonisë mobile; e ka mbuluar vendin me 4G+ dhe me 5G dhe i ofron publikut përmbajtje atraktive mediale, që po ecë me hapa të shpejtë drejt zgjerimit të rrjetit fiks”
Në prononcimin e tij para mediave, kryeministri Kurti, gjithashtu theksoi se, investimet që tash po i bën operatori publik me kredi të Qeverisë, pra jo me subvencione, jo vetëm që e kanë kthyer Telekomin në vendin ku i takon, por edhe i kanë dhënë sinjal e shtytje të duhur gjithë sektorit.
“Si askionar, Qeveria e Republikës është e interesuar, që operatori publik të zgjerojë shtrirjen me shërbime edhe mobile e edhe atyre fikse përtej interesit të ngushtë komercial. Pra, ne jemi këtu bashkë, të shtetit, për qytetarin. Andaj, shërbimi publik është në qendër të asaj çfarë mendojmë e planifikojmë, por edhe që veprojmë e zbatojmë”, u shpreh ai.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se Telekomi i Kosovës para qeverisjes sonë ka pasur rreth 150 milionë euro të akumuluara humbje, ndërkaq në më pak se 3 vitet e fundit, deri në tremujorin e tretë të këtij viti, i ka të akumuluara 21 milionë euro fitim, ndërsa deri në fundit vitit pritet t’i ketë së paku 25 milionë euro fitim. “Kjo ka qenë pak e besueshme për shumë njerëz, dhe unë jam shumë krenare dhe e lumtur me gjithë punën që e ka bërë Telekomi i Kosovës”, tha ministrja Rizvanolli.
Kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, falënderoi ministren për mbështetjen dhe mirëkuptimin, si dhe të gjithë stafin për angazhimin gjatë gjithë vitit, duke thënë se punën e kemi detyrë, obligim e përgjegjësi dhe asgjë nuk do të ishte e mundur pa përfshirjen e gjithëve.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Mirëdita të gjithëve,
Ishte kënaqësi dhe nder që të mirëpritemi sot në ditën e fundit të vitit 2025 nga kryeshefja e Telekomit të Kosovës, znj.Burbuqe Hana dhe gjithashtu edhe nga kryesuesja e Telekomit, znj. Saime Thaqi.
Këtu jam bashkë me ministren në detyrë, të Ekonomisë, Artane Rizvanolli. E falënderoj menaxhmentin, Bordin e Telekomit dhe gjithashtu të gjithë punonjësit e Telekomit për sukseset e arritura, edhe sa i përket performancës financiare, por gjithashtu edhe sa i përket shtrirjes dhe cilësisë së rrjetit të telefonisë mobile.
Për tri vjet rresht, Telekomi është duke shënuar rezultate dhe këto shifra flasin shumë. Në vitin 2023, mbi 7 milionë euro fitim, në vitin 2024, sërish mbi 7 milionë euro fitim dhe sivjet rreth 10 milionë euro fitim.
Kjo do të thotë që për këto tri vite, Telekomi i Kosovës ka performancë shumë pozitive financiare, me rreth 25 milionë euro fitim gjithsej. Ndërkohë, sistemi bazë i transmetimit, përbëhet prej 551 BTS-ve, 15 prej të cilëve janë në veriun e Kosovës, ku po ofrohen shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Telekomi publik i Kosovës apo Vala e Kosovës, është lider në shërbimet e telefonisë mobile; e ka mbuluar vendin me 4G+ dhe me 5G dhe i ofron publikut përmbajtje atraktive mediale, që po ecë me hapa të shpejtë drejt zgjerimit të rrjetit fiks.
Pasqyrat financiare tregojnë që ristrukturimi i brendshëm ka dhënë rezultate të ndjeshme, sa i përket edhe efikasitetit të punëve që kryhen, por gjithashtu edhe cilësisë së shërbimeve që jepen.
Këto investime që tash po i bën operatori publik me kredi të Qeverisë, pra jo me subvencione, jo vetëm që e kanë kthyer Telekomin në vendin ku i takon, por edhe i kanë dhënë sinjal e shtytje të duhur gjithë sektorit. Konkretisht, edhe operatori tjetër i telefonisë mobile, ka filluar të investojë pas shumë viteve. Edhe operatorët tjerë të shërbimeve fikse po investojnë, po rriten e po zgjerohen.
Pra, investimet që bën Telekomi, ngritja e cilësisë, shtimi i efikasitetit, po i detyron edhe konkurrencën, që të ndjekin hapin dhe t’ju shërbejnë edhe më shumë, më mirë, qytetarëve të Republikës.
Shumë ndërmarrës e kompani po përdorin shërbimet e Telekomit, për operacionet e tyre të përditshme e që sot anë të shtrira gjithandej dhe cilësore si asnjëherë më parë.
Strategjikisht, si askionar, Qeveria e Republikës është e interesuar, që operatori publik të zgjerojë shtrirjen me shërbime edhe mobile e edhe atyre fikse përtej interesit të ngushtë komercial. Pra, ne jemi këtu bashkë, të shtetit, për qytetarin. Andaj, shërbimi publik është në qendër të asaj çfarë mendojmë e planifikojmë, por edhe që veprojmë e zbatojmë.
Zonat rurale, rrugët, zonat kufitare, duhet të mbulohen me shërbime në të mirë të institucioneve, të qytetarëve, të bizneseve të vendit tonë. E, jemi të interesuar të kemi shërbime të dedikuara shtresave të cenuara të qytetarëve, pasi që ne mendojmë që komunikimet elektronike janë edhe e drejtë njerëzore, jo ndonjë farë luksi i përveçëm, natyrisht që shërbimin publik e shohim edhe përtej afarizmit. Por, kur jepet shërbimi publik e plus afarizmi, është gjithashtu i suksesshëm, atëherë me siguri që kemi të bëjmë me një rezultat të shkëlqyeshëm.
Dua të përgëzoj menaxhmentin, Bordin dhe gjithë punonjësit edhe për implementimin në plotni të rrjetit të kodit të Kosovës tek Vala, përkatësisht kodit 22101, tash Vala e Kosovës është qind për qind e Kosovës edhe në prefiks edhe në rrjet. Operatori ynë publik pa ndërmjetësim do të bëhet partner i operatorëve të ndryshëm në botë.
Unë falënderoj drejtoren Hana, pastaj kryesuesen e Bordit, Thaqi dhe të gjithë ata, të cilët kontribuuan kaq shumë, një kontribut, që mbase as përafërsisht nuk njihet e dihet sa është i madh, por e kanë gjithmonë vlerësimin e Qeverisë së Republikës, e njëkohësisht edhe mbështetjen tonë të parezervë. Faleminderit e gëzuar 2026-ta!




