Kryeministri sllovak: S’shohim asnjë arsye për ta njohur Kosovën

07 mars 2024 | 14:09

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka thënë se shteti që ai udhëheqë “nuk sheh asnjë arsye” për ta njohur pavarësinë e Kosovës, derisa ka pretenduar se në të ardhmen do të ketë “një grup të disa shteteve” që kanë mendim të njëjtë për këtë çështje.

Këto komente, kreu i ekzekutivit sllovak, i njohur për orientimin e tij pro rus dhe qëndrimet nacionaliste, i ka bërë në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ku ka deklaruar se Sllovakia është një vend i vogël që i përmbahet parimit se vendet e vogla “që nuk kanë armë dhe nuk i zgjidhin problemet e tyre me mjete ushtarake mund të mbështeten vetëm në ligjin ndërkombëtar”.

“Nëse kemi të njëjtin guxim të themi se në rastin e Ukrainës shohim shkelje të së drejtës ndërkombëtare, atëherë në rastin e Kosovës kemi guxim të themi të njëjtën gjë. Prandaj, nëse mbetemi në platformën e respektimit të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare se si duhet të krijohet një shtet i pavarur, në atë rast mund të na besoni se ne nuk shohim arsye për ta njohur Kosovën”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse shteti sllovak është nën presion për shkak të këtij qëndrimi, Fico ka theksuar se tashmë është mësuar me “faktin që, nëse ndonjëherë thua një mendim të guximshëm dhe thua të vërtetën, dhe nuk thua atë që pret media liberale, progresive ti bëhesh objekt kritike”.

Ndryshe, Sllovakia, së bashku me Rumaninë, Greqinë, Qipron dhe Spanjën, përbëjnë pesëshen e vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian e që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa, pikërisht ai që ndërmjetëson në emër të BE-së dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është sllovak, pra Miroslav Lajçak, i cili ka qenë edhe Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, në qeverinë e mëparshme të Fico-s./Albanian Post

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë mbyllur pjesët e para të dy ndeshjeve çerekfinale të…