VETËVENDOSJE: Në Kosovë këtë vit u vranë më shumë burra se gra, VV e thekson në reagimin pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke folur për dhunën në shoqëri, patriarkatin dhe përgjegjësinë e institucioneve. Megjithatë, në komunikatën e publikuar më 26 tetor, partia në pushtet ka theksuar se këtë vit në Kosovë janë vrarë më shumë burra sesa gra.
“Prej fillimit të këtij viti, në Kosovë janë vrarë gra e burra, vajza e djem. Rastet e raportuara publikisht tregojnë për 17 viktima, prej tyre tetë gra dhe nëntë burra”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Për vrasjen e Arlinda Zekajt, Vetëvendosje ka shkruar se rasti i saj është një tjetër humbje tragjike e jetës së një gruaje.
“Një tjetër gruaje iu mor jeta nga dhuna e një burri, familjar i burrit të saj. Një tjetër familje mbeti me dhimbjen e një humbjeje të pakthyeshme. Dhe një djalë 12-vjeçar mbeti pa nënë”, thuhet në reagim.
VV ka folur edhe për atë që e quan pushtet patriarkal dhe kontroll mbi gratë, duke vlerësuar se vrasjet e grave po marrin trajta të femicidit.
“Vrasja e grave ka një përmasë të veçantë shoqërore, pushtetin patriarkal, kontrollin mbi gruan dhe mohimin e lirisë së saj. Edhe pse e rëndë, ajo me kalimin e viteve po merr trajtat e femicidit në vendin tonë, ngase vrasjet kanë motive dhe natyrën e mohimit të së drejtës për jetë pikërisht të gruas si të tillë”, thuhet në komunikatë.
Partia në pushtet ka përmendur edhe kulturën e forcës dhe historinë e pandëshkueshmërisë, duke thënë se këto kanë lënë pasoja në shoqëri.
“Kultura e të fortit, privilegjet e fituara përmes lidhjeve me pushtetin e vjetër nga një krah dhe historia e pandëshkueshmërisë e mbetur për rreth 2 dekada kanë lënë pasoja të rënda në shoqërinë tonë”, thuhet më tej.
Në komunikatë, VV ka kërkuar që institucionet të përmbushin përgjegjësitë e tyre në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës.
“Institucionet si komunat, qendrat e punës sociale, policia e prokuroria e gjykata duhet të parandalojnë, të mbrojnë, të hetojnë dhe të ndëshkojnë”, thuhet në reagim.
Aty shtohet edhe se “çdo kërcënim i shpërfillur mund të përfundojë në tragjedi”.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte kërkuar disa herë mbrojtje nga institucionet, ndërsa, sipas Natyra Kuçit, tri ditë para vrasjes i kishte dërguar edhe Kryeprokurorit të Shtetit një letër prej tri faqesh e gjysmë, ku kishte përshkruar kronologjinë e ngjarjeve dhe kishte kërkuar ndihmë./voxkosova.com



