Kryeprokurori i Shtetit: Deklaratat e Selimit për Lumezin, paushalle

09 shkurt 2018 | 13:52

Institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ka akuzuar kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për falsifikim të provimit të jurisprudencës.

“Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze”, është thënë në reagimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Reagimi i plotë i Kryeprokurorit të Shtetit:

Duke respektuar funksionin të cilin e kryen deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Prokurori i Shtetit rikujton se organet kompetente kushtetuese vendore (të mbikëqyrura nga EULEX-i) kanë nxjerrë vendim ligjor i cili vërteton se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumëzi, e ka dhënë në mënyrë të rregullt provimin e jurisprudencës.

Andaj ftojmë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që të përmbahen nga deklarime të pavërteta dhe në kundërshtim me vendimet legjitime të organeve shtetërore. Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze.

Këto fjalime politike përbëjnë një praktikë negative të cilat dëmtojnë drejtuesit e institucioneve dhe zbatimin e ligjit nga institucionet e pavarura kushtetuese si dhe mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.

Në fund sigurojmë se institucioni i Prokurorit të Shtetit, nuk do të mbështes asnjë individ që ka shkelur apo do ti shkel ligjet e këtij vendi, por Prokurori i Shtetit punon dhe do të vazhdojë të punoj në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit e jo sipas pritjes së personave të caktuar.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iraku kërkon rreth 100 miliardë dollarë investime të jashtme në…