Kryetari Gjini viziton ndërmarrjet publike

13 dhjetor 2017 | 10:05

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka zhvilluar të martën vizita njohëse në ndërmarrjet publike “Ngrohtorja e Qytetit” dhe “Çabrati”, me ç’rast, nga menaxhmenti i të dy ndërmarrjeve, është njoftuar për gjendjen në të cilën ndodhen këto kompani, për problemet me të cilat po ballafaqohen si dhe planet për të ardhmen.

Në takim me kryeshefin ekzekutiv të “Ngrohtores së Qytetit”, Admir Shala, kryetari Gjini ka vënë në dukje rëndësinë që kjo ndërmarrje e ka për Gjakovën. Ai është zotuar se përkrahja për këtë ndërmarrje do të jetë në fokus të vazhdueshëm të komunës. Duke premtuar se komuna do t’i kryejë të gjitha detyrat e veta në shërbim të Ngrohtores, Gjini ka kërkuar nga menaxhmenti dhe stafi i ndërmarrjes që edhe ata të jenë në shërbim të plotë të detyrave të veta dhe bashkërisht të bëjnë punë në të mirë të ndërmarrjes. Ndërsa kryeshefi ekzekutiv Admir Shala e ka njoftuar kryetarin Gjini për gjendjen ekzistuese të ndërmarrjes.

Një takim të këtij karakteri kryetari Gjini e ka zhvilluar edhe me bordin dhe menaxhmentin e ndërmarrjes “Çabrati”, me të cilët ka biseduar për problemet e kompanisë, por edhe për gjendjen e pastërtisë në Gjakovë si dhe për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Sa i përket gjendjes së pastërtisë, kryetari Gjini ka kërkuar nga kolektivi i ndërmarrjes të jetë i përqendruar në punë për mirëmbajtjen e pastërtisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjakovës, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi…