Kryetari i AKB-së: Kosova dhe Shqipëria të veprojnë si treg i përbashkët

02 mars 2022 | 15:04

Një delegacion i kryesuar nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, dhe i DHKT-së i shoqëruar nga nënkryetari Suat Berisha dhe drejtoresha menaxhuese Lumnije Ajdini, kanë takuar ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjeve në Republikën e Shqipërisë, Edona Bilali.

Shahini ka thënë se dy qeveritë kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi ekonomiko-social në fusha të ndryshme për të avancuar bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve në të dyja anët, por sipas tij, ende mbetet shumë për t’u bërë në ngritjen e këtyre kapaciteteve, në mënyrë që të rritet vetëdija kombëtare për konsum të produkteve vendore.

“Shkëmbimet tregtare të të dy shteteve tona janë drejt rritjes por duhet që shtetet të bëjnë më shumë ashtu edhe bizneset të kenë bashkëpunim me konsumatorin që të joshin produkte dhe shërbime me cilësi më të lartë. Gjithashtu të promovojnë besueshmëri më të madhe tek qytetarët dhe turistët e shumtë që ka Shqipëria dhe Kosova, në mënyrë që të veprojnë si një treg i përbashkët kundrejt konkurrencës së ashpër nga shtetet dhe korporatat e fuqishme të huaja”, ka thënë kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Ministrja Edona Bilali ka thënë se mbështesin çdo iniciativë të sipërmarrësve të të dyja vendeve në të mirë të rritjes së bashkëpunimit dhe promovimit të vlerave ekonomike kombëtare.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo iniciativë që vjen nga bizneset dhe do të jemi kontakti i parë i qeverisë shqiptare për rritjen e investimeve, prodhimeve, punësimeve dhe eksporteve të çdo produkti kualitativ që ka synim tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, ka thënë Bilali.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…