
Kryetari i AKB-së: Kriza politike në kulm, koha për një qeveri teknike pa parti
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se Kosova është futur në një krizë të thellë institucionale dhe politike, të cilën partitë politike po e keqmenaxhojnë për interesa të ngushta e jo për të mirën e vendit.
Ai ka thënë se dështimi për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve, mosarritja e një marrëveshjeje për qeverisje dhe mungesa e përgjegjësisë politike, e kanë katandisur shtetin në një gjendje alarmi.
“Në këtë situatë të rëndë, Aleanca Kosovare të Bizneseve në emër të sektorit privat dhe të interesit publik, kërkoj me urgjencë krijimin e Kuvendit të Kosovë dhe një qeverie teknike, jopartiake dhe profesionale, për të: 1. Rikthyer funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe të Kuvendit; 2. Qeverisur në mënyrë neutrale dhe të përgjegjshme në një periudhë të përkohshme; 3. Trajtuar me prioritet krizën ekonomike, buxhetin publik dhe çështjet sociale; 4. Përgatitur vendin për një proces të ri zgjedhor ose një zgjidhje të qëndrueshme politike. Qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe luftërat e brendshme politike që e kanë kapur shtetin. Kjo është një gjendje e papranueshme dhe e rrezikshme për stabilitetin e vendit. Mjaft më me bllokime, inate dhe kalkulime personale”, ka thënë Shahini.
Ai ka theksuar se qeveria teknike nuk është luks, por domosdoshmëri. “Është momenti që të gjithë ata që vërtet e duan Kosovën ta tregojnë me vepra, jo me fjalë. Aleanca Kosovare e Bizneseve është e gatshme të angazhohet aktivisht në këtë proces duke ofruar ekspertizë dhe lehtësim të dialogut politik e shoqëror, në funksion të interesit kombëtar dhe zhvillimit të qëndrueshëm.