Kryetari i FFK-së edhe në rigjykim deklarohet i pafajshëm

07 nëntor 2022 | 13:37

Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), bashkë me Muharrem Ramën, në seancën e rigjykimit, të hënën janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Një deklarim të tillë, ata e kanë dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arianit Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, pas deklarimit të të akuzuarve lidhur me fajësinë, prokurori Salihu ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se vetëm pak minuta para se të fillojë seanca ka marrë lëndën, ndërsa prokurorja e rastit Elza Bajrami, sipas tij nuk ka pasur mundësi të prezantojë.

“Prokurorja e rastit, Elza Bajrami, nuk ka mundësi të prezantojë sepse është në një fjalë përfundimtare të një gjykimi tjetër. Kjo lëndë është voluminoze dhe prokurorja e rastit besoj që është mirë e njohur me shkresat e lëndës, andaj me mirëkuptim kërkoj që të shtyhet për një ditë tjetër”, ka thënë prokurori Salihu.

Më këtë propozim të prokurorit, thuhet se u pajtuan edhe të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Florim Shefqeti.

Në procesverbal thuhet se gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, ka njoftuar se gjykata ka pranuar një shkresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Krasniqi, me të cilën i njëjti ka kontestuar kualifikimin e veprës penale dhe ka kërkuar nga gjykata të vendos me aktvendim.

Lidhur me këtë, thuhet se avokati Krasniqi ka deklaruar se nuk kanë të bëjmë më vepër penale nga neni 275, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), pasi që sipas tij me paragrafin 2 kërkohet që vepra të kryhet në grup, ndërsa në këtë rast janë vetëm dy të akuzuar, e për të ekzistuar grupi kërkohen të paktën tre persona.

Çështja tjetër që lidhet me elementin cilësues të veprës penale, sipas avokatit Krasniqi është edhe përfitimi i madh, e që për këtë ai theksohet se tha që ligji i cili ishte në fuqi nuk e përcakton me numër fitimin e madh.

“Ndërsa nga praktika gjyqësore, shuma e përmendur prej 30 mijë eurove, nuk është shumë e madhe, andaj ne propozimin e kemi bërë para kësaj seance. Kërkojmë nga gjykata që lidhur me propozimet tona të vendos me aktvendim”, tha ai.

Në fund, thuhet se ai shtoi se është interesante se si ish-prokurori apo hartuesi i kësaj aktakuze, është thirrur në dispozitat ligjore të cilat në atë kohë nuk kanë qenë në fuqi.

Po ashtu, në procesverbal thuhet se kërkesë për rikualifikim të veprës penale ka parashtruar edhe i akuzuari Ademi, i cili tha se qëndron pranë të njëjtës.

“Mendoj se të njëjtën përmbajtje e ka kërkesa ime, pra rikualifikim të lëndës në favorin tim dhe kërkoj nga gjykata të vendos me aktvendim të posaçëm sepse kemi të bëjmë më parashkrim”, ka thënë Ademi.

Gjithashtu, aty thuhet se edhe avokatit Shefqeti ka thënë se në këtë çështje penale përveç që nuk ka elemente nga neni 276, paragrafi 2, të cilën gjë sipas tij e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme, në këtë çështje po ashtu sipas tij nuk ka fare vepër penale.

“Duke qenë se sipas ekspertizës është vërtetuar që zarfat të cilët janë përdorur gjoja se për kërcënim e që tani na shfaqet element objektiv i veprës penale, i ka dërguar vetë tani i dëmtuari”, ka thënë ai.

I njëjti thuhet se kërkoi që prokuroria të fillojë hetimet dhe të ngrit aktakuzë ndaj tani të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas procesverbalit, lidhur me këto propozime, gjykatësi Sadikaj e obligoi prokurorinë që në afat prej 7 ditësh të përgjigjet në parashtresat e dorëzuara nga i akuzuari Ademi dhe avokati Krasniqi, në të kundërtën sipas tij do të konsiderohet se ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Andaj, në këto rrethana seanca e sotme u shty për një kohë të pacaktuar.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, e kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu kishte pohuar se kjo lëndë tanimë ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.

Një tentativë për fillimin e rigjykimit ishte bërë më 24 mars 2021 kur ishte caktuar një seancë për këtë rast, por ajo seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve.

Mirëpo, për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit, për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”.

Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMW X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtorë Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.

Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.

Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë kërkesë, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme. /BetimipërDrejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se situata aktuale…