Kryetari i KOK-ut priti drejtuesit e SHGSK-së

02 korrik 2020 | 16:32

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka pritur sot drejtuesit e Shoqatës sw Gazetarëve Sportivë të Kosovës, në shënimin e 2 korrikut – Ditës Botërore të Gazetarëve Sportiv.

SHGSK-së i printe kryetari Edmond Thaçi, sekretari i përgjithshëm, Artan Muhaxhiri, nënkryetarja Maki Bajrami dhe anëtari i Bordit, Arbnor Rahova.

Shoqata Botërore e Mediave të Sportit është formuar më 1924, pikërisht më 2 korrik dhe për këtë arsye kjo datë kujtohet si Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë.

Presidenti Hasani, që shoqërohej nga zyrtari për media në KOK, Kushtrim Krasniqi, përgëzoi SHGSK-në dhe gjithë komunitetin e gazetarëve në këtë ditë të veçantë.

“Kam menduar prej muajsh që këtë ditë ta shënojmë në mënyrë më të veçantë, por shkaku i përhapjes së pandemisë Covid-19, ju kam ftuar për t’ju përgëzuar ju si SHGSK dhe gjithë komunitetin e gazetarëve sportivë. Bashkëpunimi me ju daton prej vitesh, andaj uroj që të vazhdojmë këtë bashkëpunim në formën më të mirë të mundshme”, ka thënë presidenti Hasani.

I pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë ftoi organizatat sportive (OS) të krijojnë kushte të përshtatshme për gazetarët, të cilët janë lidhja midis OS dhe audiencës së gjerë. “Organizatat sportive dhe shtëpitë mediatike duhet gjetur format adekuate të bashkëpunimit që sa më shumë gazetarë sportivë të përcjellin aktivitetet dhe ngjarjet sportive në vend dhe në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Hasani.

Nga ana e tij, kryetari i SHGSK-së, Thaçi, duke falënderuar presidentin Hasani për pritjen, theksoi se 2 korriku për gjithë gazetarët sportivë është një ditë e veçantë, për çka shprehu gatishmërinë që SHGSK të vazhdojë bashkëpunimin e mirë me sportistët, institucionet sportive dhe në veçanti me Komitetin Olimpik të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i SHGSK-së, Artan Muhaxhiri, shprehu po ashtu nevojën e përmirësimit të kushteve nga institucionet sportive për gazetarët sportivë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka quajtur pikëllues…