Kryetari i PDK-së viziton familjen e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit: Kosova ju pret!
Në pesëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar familjet e tyre për të shprehur solidaritetin e tyre të plotë me mallin dhe vuajtjen e tyre për më të dashurit që u mungojnë prej një kohe të gjatë.
“Familjet Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, megjithatë, kanë shumë më tepër arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre, sepse ata u takojnë të gjithëve, e mbi të gjitha, Kosovës. Ata ishin bashkë në luftë, bashkë në ndërtimin e shtetit, dhe sot janë bashkë në përballjen me padrejtësinë, me të njëjtin dinjitet që i ka përcjellë gjithmonë”.
“Urojmë që ky proces, i dalë prej binarëve të drejtësisë dhe arsyes, të përfundojë sa më shpejt me verdiktin që e presim të gjithë, lirinë e çlirimtarëve, që ata të kthehen te familjet dhe te populli i tyre. Kosova ju pret!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.




