Kryetari i Podujevës merr përkrahje nga ministri Damka për ndërtimin e Tregut të Gjelbër

11 shkurt 2022 | 14:25

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka pritur të premten në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal (MZHR) me të cilin ka biseduar për projektet që po zhvillohen nga bashkëpunimi i Komunës së Podujevës me këtë ministri.

Gjatë këtij takimi kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka falënderuar ministrin Damka, për investimet e kësaj ministrie në projektet e përbashkëta me komunën dhe ka diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.

“Falënderova ministrin Damka për bashkëpunimin që kemi në realizimin e projekteve infrastrukturore që po zhvillohen në komunën tonë, gjithashtu shpreha nevojën për ndihmë nga kjo ministri edhe në projektet e reja siç është projekti për Stacionin e Autobusëve, projekt për të cilin u zotuam ta fillojmë brenda këtij viti”, ka thënë kryetari Bulliqi.

Në takim, Bulliqi ka theksuar edhe nevojën për një dinamikë të re në zbatimin e projekteve që janë në realizim siç janë urat në fshatrat Bajçinë dhe Sfeçël.

Edhe ministri Damka ka shprehur gatishmërinë e tij për punë në përmbylljen e projekteve të nisura dhe u zotua për përkrahje të komunës në projektet e reja.

Në këtë takim kryetari Bulliqi ka paraqitur edhe nevojën për ndërtimin e Tregut të Gjelbër, projekt për të cilin mori mbështetje nga ministri Damka, i cili u zotua për ndihmë përmes formës së bashkëfinancimit me Komunën e Podujevës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United është në kërkim të një sulmuesi për edicionin…