Kryetarja e Gjykatës Speciale: Drejtësia do të vihet në vend, puna do të flasë vetë

06 dhjetor 2020 | 14:27

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë që njihen si Gjykata Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se drejtësia do të garantohet dhe se puna e kësaj gjykate do të flasë vetë.

Ajo ka thënë se Gjykata Speciale funksionon pa ndikimin dhe ndërhyrjen e askujt dhe se gjykatësit janë të pavarur.

“Dhomat e Specializuara funksionojnë pa ndikimin dhe ndërhyrjen e askujt, politike apo ndonjë tjetër. Dhomat e Specializuara dhe gjykatësit janë të pavarur, nuk veprojnë sipas udhëzimeve të askujt dhe drejtohen vetëm nga ligji. Të tre menaxherët dhe të gjithë gjyqtarët. Çdo shkelje e këtij detyrimi, megjithëse nuk besoj se do të ketë, do t’i nënshtrohet mekanizmave disiplinorë përkatës”, ka thënë Trendafilova në një intervistë për mediumin serb “Politika”.

Ajo ka theksuar se në Hagë, “ata e bëjnë betimin e tyre shumë seriozisht dhe, si gjykatës, janë të vendosur ta mbrojnë integritetin e procedurave dhe ta ruajnë pavarësinë dhe paanësinë e tyre”.

Trendafilova ka thënë se ka përpjekje për ta minuar legjitimitetin e Gjykatës Speciale, por sipas saj kjo gjykatë do të merret vetëm me mandatin e saj.

“Ka përpjekje për ta minuar legjitimitetin e DhSK-së, por ato nuk janë të reja dhe sigurisht që do të zgjasin sa të ekzistojë kjo gjykatë. Ne nuk do të përfshihemi në ndonjë debat politik, por do të merremi me atë që është mandati i DhSK-së, dhe kjo është që të sigurojmë drejtësi”, është shprehur ajo.

Kryetarja e Speciales ka thënë se publiku, “përfshirë ai serb, do të jenë në gjendje të konkludojnë vetë nëse DhSK-ja e ka përmbushur rolin që i është besuar nga mandati i saj”.

“Unë besoj se puna e DHSK-së, urdhëresat dhe vendimet do të flasin vetë. Në këtë drejtim, DHSK-ja përpiqet të sigurohet që publiku të informohet me saktësi, në kohën e duhur dhe në një mënyrë transparente”, ka thënë Trendafilova.

E pyetur për të komentuar mbi opinionin mbizotërues publik se puna e kësaj gjykate ndikohet nga interesat dhe urdhrat ndërkombëtarë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, dhe se aktakuzat janë pjesë e një kompromisi të ardhshëm në lidhje me njohjen e Serbisë nga Kosova, ajo ka thënë:

“DhSK-ja është një institucion gjyqësor, nuk është institucion politik. Ne nuk ndjekim udhëzimet e askujt. Kjo është një gjykatë e themeluar në përputhje me marrëveshjen e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe e përqendruar ekskluzivisht në kryerjen e procedurave gjyqësore të sigurta, të drejta, të paanshme dhe të pavarura”.

Trendafilova ka thënë se siguria e viktimave dhe dëshmitarëve që paraqiten para Gjykatës Speciale është e një rëndësie të madhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar pjesa e parë e derbit të javës së…