Kryetarja e Kushtetueses, Haxhiut: S’e pengojmë reformën në drejtësi, pala humbëse gjithmonë ka kritika
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, iu është kundërpërgjigjur akuzave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pati thënë se “kushtetuesja është shndërruar në një pengesë për reformat në drejtësi”.
Caka-Nimani, e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk pengon në reformën në drejtësi, por kontribuon në përforcimin e shtetit të së drejtës dhe përfarimin e Kosovës me standardet të cilat i përcakton Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, anëtarësimin në të cilat Kosova e synon.
“Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën. Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse”, tha ajo në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV.
E para e Gjykatës Kushtetuese ka theksuar se respektimi i Kushtetutës është detyrë e secilit autoritet publik në Kosovë, meqë sipas saj, konstatimi që bën gjykata në kontekst të një ligji dhe vlerësimi që një ligj i kontestuar para saj, nuk është në përputhje me kushtetutën nuk mund të shërbejë si argument që gjykata është kundër reformave në drejtësi.
“Por, duhet të shërbejë si detyrim për reflektim, të dy pushteteve tjera që të sigurohen që ligjet e propozuara ose miratuara janë në përputhje me Kushtetutën”, ka shtuar e Caka-Nimani.
Tutje, ajo ka potencuar se liria e shprehjes dhe e mendimit është vlerë themelore e Kosovës dhe se kjo liri ngërthen edhe kritikën dhe se çdo vendim i Kushtetueses duhet t’i nënshtrohet analizës, debatit dhe kritikës.
“Kritikat ndaj pushtetit gjyqësor apo gjykatave kushtetuese janë të zakonshme edhe në demokracitë tjera, kryesisht në demokraci më të reja. Ashtu siç kam adresuar përgjatë shënjimit gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, ndërveprimi mes pushteteve medoemos reflekton tension dhe ky tension reflekton faktin që demokracia në Republikën e Kosovës po funksionon”, sqaroi ajo.