Kryeziu akuzon Ahmetin “për një projekt të NPB-së më të madh se ai te Katedralja”

08 qershor 00:19

Nexhat Kryeziu, kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Banesore, ka akuzuar kreun e Prishtinës, Shpend Ahmeti se ka stopuar një projekt të madh të kësaj ndërmarrje, i shtrirë në një hapësirë prej 1.7 hektarësh.

Ai ka thënë se nuk e di pse po e bën këtë kreu i Prishtinës, por ka thënë se një projekt tjetër privat aty është duke u ndërtuar pa leje, dhe madje, gjithnjë sipas tij, prek edhe në një pjesë pronën e Ndërmarrjes Publike Banesore.

“Është një projekt më i madh se Katedralja. Ndërtimi i një kompleksi banesor dhe qendre tregtare, në hyrje të Prishtinës prej Fushë Kosovës në anë të majtë, te Lakrtishtja. Është fjala për një ndërtim në hapësirë prej 1.7 hektarësh”, ka thënë Kryeziu në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai ka thënë se banesat ishin paraparë të ndërtohen nga NPB-ja, për projektin e banesave me kosto të përballueshme.

“Aty Ahmeti ka kërkuar nga Bordi që ky projekt të ndalet. Unë nuk e di pse. Ajo është tokë që ka vlerë të madhe, ka ndërtesa anash prej investitorëve privatë. Një ndërtesë aty është pa leje, madje në një pjesë të pronës së NPB-së. Besoj që z. Ahmeti e dinë këtë”, ka thënë ai.

Kryeziu ka akuzuar Ahmetin për favorizime.

“Mendimi është që secili prej nesh që punojmë në krye të institucioneve jemi të thirrur të punojmë në shërbim të institucioneve tona, jo me stimulime dhe ndikime nga jashtë”, ka thënë ai.

Tutje, Kryeziu ka thënë se NPB-ja ka nën menaxhim asete që janë në vlerë mbi 100 milionë euro.

Ai ka thënë se është emëruar më 2015, dhe prej atëherë ushtron detyrën në harmoni të plotë me ligjin.

“Jam kryeshef ekzekutiv në mënyrë të ligjshme. Nuk jam i sigurt që z. Ahemti ka qenë dakord që unë të jem kryeshef ekzekutiv. Për këto tri vjet ka munguar bashkëpunimi, derisa ne kemi punuar ashtu siç duhet dhe sipas ligjit, e kemi kryer punë që është dashur të kryente vetë Komuna e Prishtinës”, ka thënë Kryeziu.

“E ka marrë si storie suksesi, ka prerë shirita, ka ardh në vizita. Në kuptimin mediatik, deri sa ju kemi dashur ka ardhur dhe ka pasur interesim, por në kuptimin real nuk ka pasur interesim për NPB-në”, ka thënë ai.

Kryeziu ka akuzuar Ahmetin për disa ndërhyrje të tjera në NPB. Sipas tij, Ahmeti ka favorizuar njerëzit e vet. Ai nuk ka pranuar të flasë me emra, por ka thënë se kanë dokumente me bollëk.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti rus, Vladimir Putin bëri thirrje të enjten për zhvillimin…