
“Kthesa e Madhe” e Jakup Krasniqit është dëshmia më e fuqishme për pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së në Gjykatën Speciale
Milazim KRASNIQI
Gjykata Speciale, nëse ka synim të ndajë drejtësinë, librin e Jakup Krasniqit, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, duhet ta ketë busull për vendimin e saj, e jo dëshmitë e rreme të dëshmitarëve të rekrutuar nga shërbimet armiqësore ndaj UÇK, ndaj Kosovës. Pse? Jakup Krasniqi e ka botuar në vitin 2006 këtë libër me kujtime, observime e vlerësime, nga pozita e njërit nga protagonistët e asaj lëvizjeje, duke pasur në posedim dokumentet më të rëndësishme të saj dhe pa e vrarë mendjen se rrëfimi i tij mund të jetë objekt i ndonjë procesi gjyqësor. Nuk ka bërë seleksionim, nuk ka bërë autocensurë. Pra dëshmitë e autorit janë të besueshme e jo të manipuluara, si ato të prokurorëve të Gjykatës Speciale.
Autori librin e ka shkruar me idenë që të zbardhë sa më shumë të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa ndier nevojë të fshehë asgjë, pasi nuk ka fshehë asgjë. Autori ka qenë i bindur se e vërteta që po rrëfente, do t’u ndihmonte të gjithëve që ta kuptojnë të vërtetën, pra edhe armiqve të UÇK-së, armiqve të Kosovës. Autori nuk e ka vrarë mendjen se mos ai vetë dhe libri i tij do të ndiqeshin penalisht për një veprimtari legale dhe çlirimtare që kanë zhvilluar. Pra, edhe nga ky aspekt, dëshmia e tij mund t’i hyjë më së shumti në punë Gjykatës Speciale, nëse e ka për qëllim ta kuptojë të vërtetën për UÇK-në dhe protagonistët që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.
Për këtë rast do të ndajë me lexuesit disa fakte që dëshmojnë se akuza ndaj kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ndaj Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe ndaj Kadri Veselit e Rexhep Selimit, është e montuar, pa mbështetje në fakte. Po e nis nga një kryefakt: deri sa përfaqësuesit politikë të UÇK-së po merrnin pjesë në delegacionin e përbashkët (edhe me LDK-në) në Konferencën e Rambujesë, komandantët e terrenit e kishin shkarkuar komandantin e përgjithshëm dhe e kishin emëruar një komandant të ri. Autori, duke qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe pastaj në mbledhjen në terren ku u diskutuan ato ndryshime, ka ngritur disa hipoteza mbi implikimin dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm përfshirë edhe segmente të shërbimeve konkrete sekrete. Këtë pistë Gjykata Speciale me gjasë e ka injoruar në tërësi, ndërsa shumë e mundshme duket që disa nga çrregullimet dhe krimet janë ideuar e mbase edhe kryer nga shërbime sekrete armiqësore. Gjykata do të duhej të gjente mënyra ta adresonte këtë pistë. Jakup Krasniqi pranon se ndryshimet që ishin bërë pa dijeninë dhe pa miratimin e kreut politik (në këtë rast Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit, po edhe vetë Azem Syles) u miratuan a posteriori nga kreu politik, vetëm për ta ruajtur unitetin. Pra, kreu politik kishte humbur në atë ballafaqim. Kjo provon se segmente të terrenit kishin ndikim më të madh se sa kreu politik. Po qe se Gjykata Speciale e pranon këtë gjendje faktike, pra të implikimit dhe ndikimit të shërbimeve sekrete armiqësore në njërën anë dhe të ndikimit dominues të njerëzve nga terreni, në anën tjetër, atëherë bie poshtë e tërë akuza ndaj drejtuesve politikë, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që janë duke u gjykuar në Hagë. Askush nuk mund të gjykohet, nëse nuk ka qenë urdhërdhënës ose zbatues i veprimeve.
Nga dëshmitë që sjellë autori lidhur me Konferencën e Rambujesë, mund të kuptohet qëndrimi absurd i Gjykatës Speciale, e cila ka akuzuar figurat politike që kanë qenë pro pjesëmarrjes në atë konferencë dhe kanë qenë vendimtar për firmosjen e Marrëveshjes së Parisit nga ana e Kosovës. Po qe se Gjykata do të kishte preokupim të zbulonte krimet eventuale, ajo do të duhej të orientohej drejt faktorëve konkretë, që kanë qenë kundër asaj konference dhe kundër firmosjes së asaj marrëveshjeje. Ndërsa, Gjykata është vënë në ndjekje penale të figurave kryesore, që e kanë shtyrë përpara firmosjen e Marrëveshjes së Rambujesë/Parisit. Çdo interpretim logjik do të jep konkluzionin se kjo Gjykatë po tenton një lloj hakmarrjeje ndaj atyre që mundësuan aktivizimin e NATO-s kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë (Serbisë.) Ky është absurd sui generis, meqë Gjykata financohet dhe vepron në truallin e shteteve të NATO-s (dhe BE-së.) Rezulton se kjo Gjykatë po tenton në mënyrë tinëzare që të akuzojë dhe dënojë edhe vetë NATO-n, për aleancën e saj funksionale me UÇK-në, në pengimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit serb në Kosovë. Kujt i duhet kjo ndërmarrje perverse, përveç armiqve të NATO-s?
Dëshmia e Jakup Krasniqit në librin “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, për aktivitetin e tij edhe në lëvizjen paqësore, nëse respektohet si fakt, do ta rrëzonte çdo vendim penalizues që eventualisht do të mund të ndërmerrej kundër tij dhe krerëve të tjerë politikë të UÇK-së. Jakup Krasniqi, dëshmon se në kohën kur ishte i angazhuar në kreun e UÇK-së, vazhdonte të ishte kryetar i Degës së LDK-së në Gllogovc (Drenas), duke shërbyer pra edhe në politikën paqësore që ndiqte LDK-ja. Ky fakt nuk mund të injorohet nga Gjykata Speciale, sepse dëshmon se autori përkatësisht i akuzuari Jakup Krasniqi, ka dhënë kontribut në zgjidhjen paqësore të krizës. Vetëm kur është bindur se politika paqësore po dështonte, ai ka kërkuar angazhim me rrugë më aktive për ta mbrojtur popullin dhe Kosovën nga terrori ushtarak e policor i Serbisë.
Edhe angazhimi i Jakup Krasniqit në delegacionin në Rambuje, qëndrimet konstruktive të tij, të cilat e kanë bërë që të pranohej edhe nga LDK-ja si kandidaturë për postin e kryeministrit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, është dëshmi që nuk mund të anashkalohet as nga Gjykata Speciale e aq më pak nga historia e re e Kosovës. Në këtë kontekst mund të sjellë edhe një dëshmi/sqarim plotësues lidhur me takimet e një përfaqësie të LDK-së me Jakup Krasniqin në Tiranë, në maj 1999, të cilit i referohet autori në libër, në faqet 225-226. Meqë kam qenë një nga promotorët e atij takimi, mund të them si vijon: takimi vërtet ka qenë konstruktiv dhe vullneti i Jakupit pë të gjetur një pajtim për inkuadrimin e LDK-së në QPK, ka qenë shumë i madh. Nuk e ka përjashtuar as mundësinë e integrimit të Bujar Bukoshit në atë qeveri, nëse do të ishte propozim yni e as ndryshimin e disa resorëve, për të fuqizuar LDK-në në atë qeveri. E vërteta të cilën autori Jakup Krasniqi nuk ka pasur si ta dijë është se hyrja e LDK-së në atë qeveri, e cila dukej punë e kryer dhe çështje e pak ditëve, (pritej kthimi i Bukoshit nga SHBA në Tiranë) u pengua nga mesazhi që dërgoi Rugova, për të ndërprerë ato kontakte, kur arriti në Romë pas lirimit nga Beogradi, ku faktikisht ishte peng lufte i Millosheviqit. Pra, negociata për të cilat Jakup Krasniqi ka qenë i hapur dhe vullnetmirë, janë ndërprerë nga ana e LDK-së. (Në një takim që më vonë u zhvillua në Shkup me Rugovën, dolën në pah mospajtimet tona për këtë çështje, që sollën edhe largimin e disave prej nesh nga LDK-ja pas çlirimit të vendit.) Pra, mbetet fakt kokëfortë se po të varej nga vullneti i shprehur i Jakup Krasniqit, LDK do të bëhej pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, çka tregon qartë se ai nuk ka pasur asnjë ndjenjë refuzimi e aq më pak ndjenjë hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve politikë. Ndërsa, po të formohej një qeveri e përbashkët në maj 1999, ashtu si insistonte edhe Jakup Krasniqi, menaxhimi i krizës së pas çlirimit, përfshirë veprimet e shërbimeve sekrete armiqësore dhe aktet e hakmarrjeve, do të menaxhohej me më shumë sukses dhe disa nga ato raste që janë sot në Hagë, nuk do të ndodhnin fare. Këto janë fakte të cilat nuk ka gjykatë në botë, pra as Gjykata Speciale, që mund t’i falsifikojë. Nuk besoj se duhet të inkurajohet askush në Gjykatën Speciale nga letargjia e tashme në Kosovë, e imponuar nga forcat politike fanatike kundër disave nga ish krerëve politikë të UÇK-së. Kjo nuk zgjatë gjithmonë. Kosova dhe shqiptarët do ta kërkojnë drejtësinë dhe të vërtetën e historisë së tyre të lavdishme, deri në ditën e fundit në Tokë.
Lidhur me formimin dhe veprimin e Gjykatës Speciale ka edhe disa gjera të tjera jologjike, të cilat katër të akuzuarit në Hagë thjesht i kanë shndërruar në pengje të lojërave konspirative diplomatike. Në këtë sfond, roli i administratës Obama, me Hilari Klintonin e Xhoe Bajdenin, në imponimin e Gjykatës Speciale, mbetet i pakuptueshëm, i palogjikshëm, absurd. A mund të jetë ai angazhim si pjesë e marrëveshjes xhentëllmene Tallbot-Çernomyrdin në Moskë dhe akordit të ministrave amerikanë e rusë në korrik 1999 në Helsinki? Pyetjet mbeten pezull, por Gjykata me vendosmërinë e saj për të dënuar me çdo kusht, me dëshmitarë të rremë, kreun politik të UÇK-së që nuk lejoi spastrimin etnik e gjenocidin serb e me vonë riintegrimin e Kosovës në ish Jugosllavi, duket si përgjigje konkrete. Pra, ka indikacione që gjykimi është produkt i akordeve të hershme të fshehta, të vitit 1999, për të shëruar egot e komplekset ruse, e kurrsesi një proces mirëfilli gjyqësor. Është në nivel të idiotizmit tentativa që shërimi i egove dhe komplekseve ruse të vitit 1999 të bëhet duke gjykuar aleatët e NATO-s të asaj kohe, pra, kreun politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa rolin e UÇK-së NATO nuk do të mund të hynte në Kosovë e as të krijonte kushtet për anëtarësim në NATO të shteteve ballkanike, Malit të Zi, Shqipërisë e Maqedonisë, pra forcimin e krahut jugor të NATO-s. Takimet dhe bisedat e Jakup Krasniqit, me kreun e NATO-s, me diplomatët e rëndësishëm perëndimorë në atë periudhë, të prezantuar me fakte në këtë libër, janë dëshmi e pakontestueshme e aleancës së UÇK-së me NATO-n dhe me Perëndimin. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë në botë. Për të vënë drejtësinë në vend, Gjykata Speciale do të mund të merrej me kryesit konkretë të krimeve e jo me gjykimin e kreut politik të UÇK-së që de facto kanë qenë partnerë i strategjisë së zgjerimit të NATO-s në Ballkan. P.S. Nuk e di a është i përkthyer në anglisht libri i Jakup Krasniqi, “Kthesa e madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.” Nëse është, gjykatësit do të duhej ta kishin lexuar dhe ta kishin para sysh si një fakt të pakalueshëm për të dhënë drejtësinë përkatësisht për t’u dhënë pafajësinë autorit dhe shokëve të tij.
24 korrik 2025