
Ku është shteti? Lista Serbe në fushatë për kriminelin Milan Radojiçiq
Shkruan: Hisen Berisha
Fotot dhe pamjet nga tubimi elektoral i Listës Serbe dhe aktivitetet e tyre publike në veri tregojnë hapur një realitet të rrezikshëm: subjekti kryesor politik i serbëve në Kosovë po e identifikon veten me Milan Radojiçiqin – njeriun e shpallur kriminel, të kërkuar ndërkombëtarisht, dhe të sanksionuar nga SHBA si pjesë e organizatave kriminale në veri.
Ky është një krim politik dhe ligjor në zhvillim e sipër. Një subjekt politik që e barazon veten me një kriminel, është vetë pjesë e një organizate kriminale. Kjo do të mjaftonte në çdo vend normal që:
– të ndërpriten aktivitetet publike të Listës Serbe,
– të hapen hetime për lidhjet e tyre me Radojiçiqin,
– dhe të mbyllen zyrat e fushatës që promovojnë një figurë kriminale.
Por çfarë ndodh në Kosovë?
Qeveria hesht. Ministri Sveçla dhe ekipi i tij i “sherifëve” nuk reagojnë. Kryeministri Kurti nuk vepron. Kjo heshtje e bën Kosovën bashkëpërgjegjëse për legjitimimin e një strukture kriminale, e cila vazhdon të përdorë zgjedhjet lokale për ta forcuar ndikimin e Beogradit në veri.
Sot kemi para syve një provë të qartë dhe të dokumentuar:
Lista Serbe = Milan Radojiçiq = strukturë kriminale e sponsorizuar nga Serbia.
Nëse Kosova nuk vepron tani, kur ka prova të qarta, atëherë kur?
Heshtja e institucioneve nuk është vetëm dështim, por edhe delegjitimim i shtetit të Kosovës në veri.