Ismet Beqiri i LDK-së ndan një fotografi të vitit 1991 me James Rubin
Ish-deputeti dhe ish-kryetari i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka publikuar një fotografi të rrallë të shkrepur në dhjetor të vitit 1991 në lagjen Vranjevc të Prishtinës, gjatë vizitës së James Rubinit në Kosovë.
“Dhjetor 1991 – Vranjevc, Prishtinë. Takim i paharruar me James Rubinin, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në një kohë pune, aktiviteti, kontributi e sakrifice për vendin tonë,” ka shkruar Beqiri.
Ai ka treguar se gjatë kësaj vizite, së bashku me veprimtarët Sejdi Veseli, Gazmend Pula dhe Bahtir Cakolli, kishin shoqëruar Rubinin në Vranjevc – Kodrën e Trimave – të cilat i ka cilësuar si lagje të rezistencës dhe të sakrificës.
“Vizituam disa familje dhe takuam qytetarë të rrahur dhe maltretuar rëndë nga policia okupatore serbe,” ka shtuar Beqiri.
Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe posaçërisht për James Rubinin, duke theksuar respektin e përhershëm ndaj tyre.




