Pagesa brenda pak sekondash dhe mbi 55 milionë euro kursime në vit, BQK-ja prezanton hapat drejt SEPA-s

03 nëntor 2026 | 16:46

Kosova po avancon drejt integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), proces që, sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), mund të sjellë kursime vjetore prej mbi 55 milionë eurosh për qytetarët, bizneset dhe diasporën.

BQK-ja është duke përfunduar procedurat e brendshme për dorëzimin zyrtar të aplikimit për anëtarësim në SEPA, pas miratimit të ndryshimeve ligjore që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Guvernatori Ahmet Ismaili i ka prezantuar këto zhvillime gjatë një takimi me përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ku ka diskutuar për reformat në sektorin financiar dhe integrimin në sistemet evropiane.

Anëtarësimi në SEPA pritet të mundësojë transfere ndërkufitare në euro më të shpejta dhe me kosto më të ulët, ndërsa një tjetër projekt është sistemi TIPS-K, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë. Ky sistem synon të mundësojë pagesa brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.

Sipas BQK-së, faza pilot e TIPS-K synohet të nisë deri në fund të nëntorit 2026, në varësi të përfundimit të testimeve teknike dhe përmbushjes së kushteve operacionale.

Gjatë takimit, Ismaili ka prezantuar edhe treguesit e sektorit bankar, duke theksuar se sistemi financiar i Kosovës mbetet stabil dhe i mirëkapitalizuar. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është 16.4 për qind, mbulimi me likuiditet rreth 300 për qind, ndërsa kreditë joperformuese përbëjnë 2 për qind.

Guvernatori ka theksuar se reformat synojnë forcimin e mbikëqyrjes bankare, mbrojtjen e konsumatorëve, modernizimin e pagesave dhe përafrimin e legjislacionit financiar me standardet e Bashkimit Evropian.

“Stabiliteti financiar, reformat institucionale dhe integrimi evropian janë prioritete që përforcojnë njëra-tjetrën në veprimtarinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Objektivi ynë është të sigurojmë që përafrimi me standardet evropiane të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi. SEPA dhe TIPS-K janë iniciativa transformuese që do të forcojnë ndërlidhjen financiare të Kosovës me Evropën dhe do të kontribuojnë në një sistem financiar më efikas, më konkurrues dhe më gjithëpërfshirës”, është cituar Ismaili në komunikatë.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, EULEX-it, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

BQK-ja ka ritheksuar përkushtimin për vazhdimin e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me synim integrimin e mëtejshëm të Kosovës në sistemin financiar evropian.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin…