Ku janë mbi 200 librat e botuara brenda vitit?

11 dhjetor 2020 | 09:05
Shkëlzen Halimi

Në vitin 2019 Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut përkrahu materialisht rreth 220 tituj në gjuhën shqipe (prozë, poezi, drama, përkthime, shkencë, gjuhësi, religjion etj) pa mos i përfshirë këtu edhe disa revista, manifestime letrare, DVD dhe monografi (vlera e përkrahjes së librave lëviz prej 1000 euro e ndodh që ndonjë botim të përkrahet edhe deri më 5000 euro. Këto janë para edhe të taksapaguesve shqiptarë). Një vit më vonë, pra në vitin 2020, numri i përkrahur i librave shqip ishte edhe më i madh.
Insistimi këmbëngulës që vetëm sasia të paraqitet si sukses i grupeve politike, ka bërë që në sektorin e botimit të librit shqip të paraqiten shumë anomali, duke filluar nga shtimi enorm i numrit të “shkrimtarëve” shqiptarë, i cili numër realisht është shumë i madh se sa ekzemplarët e tirazhit të librave që botohen (mesatarisht 300 ekzemplarë), e deri te paraqitja me bollëk e anti-vlerave, të cilat në masë të madhe e kanë ngulfatur kulturën shqiptare në përgjithësi dhe librin shqip në veçanti.
Dhe tash vijmë te pyetja e pashmangshme: po, a i keni parë diku këto libra? A mos keni lexuar ndonjë njoftim (me përjashtime të vogla), po qoftë edhe në facebook, për daljen nga shtypi jo të mbi 200 libra, por së paku të 10 librave? Ose, a mund të thotë dikush se çfarë në të vërtetë botohet? Ose a jep dikush llogari për shumë e shumë libra të botuara, por që në kushte normale do të ishin të pabotueshme, sepse, fatkeqësisht, numri më i madh i këtyre titujve nuk i plotësojnë as kushtet elementare.
Ndoshta edhe është mirë që pjesa dërmuese e këtyre titujve mbeten diku, ku i mbulon pluhuri i harresës, sepse nga këta tituj të botuar (në rrethana normale) do të skuqeshim, por, pse jo, edhe do të turpëroheshim me përmbajtjen e tyre. E gjithë kjo është pasojë e mungesës së mekanizmave që do ta rregullonin çështjen e botimit të librit shqip dhe jo të vijmë te përfundimi se shumica e atyre që aplikojnë (individualisht ose përmes shtëpive botuese) kanë vetëm një qëllim: përfitimin material. Abuzimi i këtillë duhet të marrë fund dhe gjërat duhet të kthehen në binarët e duhura.
E keqja, pra, na vjen prej brenda dhe jo prej jashtë. Të jemi më të qartë: të keqen vetë ne ia sjellim vetes. Ose kjo e keqe mban autorësinë tonë…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DAN KOSUMI   NË KËRKIM TË KOKËS SIME   Një…