Kuçi: LDK-ja s’ka fuqi ta rrëzojë Qeverinë

23 prill 2018 | 14:27

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, ka thënë të dielën se iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për mbajtjen e një tryeze me partitë politike është çështje elektorale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se AAK-ja nuk do të jetë pjesë e saj.

“Kjo tryezë nuk është serioze. Për tema serioze duhen përgatitje serioze. Në këtë formë se si është bërë nuk e konsiderojmë serioze ftesën e LDK-së për këtë tryezë. Kemi komunikim me partitë politike, kemi komunikim së paku njerëzor në mes vete, mirëpo deri më tani nuk kemi pasur asnjë lloj komunikimi për këtë tryezë prandaj, si e tillë, është joserioze. Çështja e tryezës është më shumë elektorale sesa që ka ndonjë element të rëndësishëm për Kosovën”, është shprehur Kuçi.

Ai ka deklaruar se LDK-ja me këtë parapërgatitje e ka dëmtuar procesin e arritjes së një lloj konsensusi. Sipas Kuçit, arritja e konsensusit për tema kombëtare është më se i nevojshëm, por jo i kësaj forme.

“Dhe arritja e konsensusit nacional kërkon paraprakisht një platformë të përgatitur mirë në mes të partive politike. Do të ishte mirë të arrihet ky konsensus sepse edhe Qeveria po insiston në këtë konsensus para epilogut të dialogut me Serbinë. Konsensusi është më së i nevojshëm, prandaj edhe përpjekjet duhet të jenë më të mëdha dhe më të koordinuara”, ka deklaruar ai.

Sa iu përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kuçi ka thënë se ato do të mbahen në vitin 2021. Ai ka vlerësuar se LDK-ja është e pafuqishme për ta rrëzuar Qeverinë. Sipas Kuçit, LDK-ja nuk i ka as votat, as vullnetin dhe as guximin për të qenë në pushtet në këtë kohë kur pritet epilogu i dialogut me Serbinë.

“LDK-ja është e pafuqishme për ta kërkuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Po ashtu, është e pavullnetshme për të qenë në pushtet sepse e di që epilogu i proceseve të mëdha nuk do të jetë i lehtë. Vendimet janë të mëdha dhe nuk besoj se kanë dëshirë që në këtë kohë dhe në harmoni me rrethanat që i kanë brenda në parti, të udhëheqin proceset e mëdha për vendin”, ka thënë Kuçi.

“Epoka e re”: Z. Kuçi, LDK-ja ka paralajmëruar për të mërkurën mbajtjen e një tryeze me të gjitha partitë politike. Do të marrë pjesë AAK-ja?
Kuçi: AAK-ja nuk ka marrë ndonjë vendim për të marrë pjesë apo jo në një tryezë të tillë. Mendoj se gjasat janë të vogla për pjesëmarrje sepse përgatitjet për një tryezë të tillë janë të mangëta. Ne si AAK mendojmë se duhet një përgatitje më e madhe dhe një koordinim më i madh para se të mbahet një tryezë e tillë. Nuk është e nevojshme veç të takohemi, por para se të takohemi është e rëndësishme të përgatitemi dhe t’i japim orientimet tona në mënyrë që të mund të krijojmë një platformë të koordinimit dhe të konsensusit për çështje kombëtare.

 “Epoka e re”: Pse AAK-ja heziton të jetë pjesë e tryezës?
Kuçi: Kjo tryezë nuk është serioze. Për tema serioze duhen përgatitje serioze. Në këtë formë se si është bërë nuk e konsiderojmë serioze ftesën e LDK-së për këtë tryezë. Kemi komunikim me partitë politike, kemi komunikim së paku njerëzor në mes vete, mirëpo deri më tani nuk kemi pasur asnjë lloj komunikimi për këtë tryezë prandaj, si e tillë, është joserioze. Çështja e tryezës është më shumë elektorale sesa që ka ndonjë element të rëndësishëm për Kosovën. AAK-ja nuk do të jetë pjesë e aktiviteteve elektorale të partive të tjera. Kjo është çështje elektorale e LDK-së, duke pasur parasysh edhe problemet që kohët e fundit i kanë shpërthyer përbrenda. Ata po dëshirojnë të japin një orientim tjetërkah.

 “Epoka e re”: Megjithatë, LDK-ja përmes kësaj tryeze synon arritjen e një konsensusi dhe një marrëveshje politike për tema kombëtare.
Kuçi: Konsensusi kombëtar për tema kombëtare është më se i nevojshëm, por jo i kësaj forme. Dhe arritja e konsensusit kombëtar kërkon paraprakisht një platformë të përgatitur mirë ndërmjet partive politike. Do të ishte mirë të arrihet ky konsensus sepse edhe Qeveria po insiston në këtë konsensus para epilogut të dialogut me Serbinë. Konsensusi është më se i nevojshëm, prandaj edhe përpjekjet duhet të jenë më të mëdha dhe më të koordinuara.

“Epoka e re”: Mund të arrihet ky konsensus meqë edhe Qeveria edhe opozita po kërkojnë të njëjtën gjë në forma të ndryshme?
Kuçi: Konsensusi kombëtar çdoherë është i nevojshëm, por duhen parapërgatitje serioze. Po frikësohem se LDK-ja me këtë parapërgatitje për një tryezë të tillë e ka dëmtuar procesin e arritjes së një lloj konsensusi. Po të ishte serioz inicimi i kësaj tryeze, do të kishte edhe parapërgatitje serioze. Arritja e konsensusit kombëtar kërkon komunikim, seriozitet, koordinim dhe parapërgatitje në mes të gjitha subjekteve politike.

“Epoka e re”: Në këtë tryezë është paraparë edhe caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme. Është kjo pika që largon AAK-në nga kjo tryezë?
Kuçi: Zgjedhjet parlamentare e kanë afatin e vet të rregullt. Data e zgjedhjeve është e caktuar. Zgjedhjet mbahen në vitin 2021. Është në rolin e opozitës ta kërkojë ardhjen në pushtet kurdo që i krijohen mundësitë. LDK-ja, duke qenë parti opozitare, në momentin që i ka votat, mund të kërkojë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Epoka e re”: Nuk i frikësoheni ngritjes së një mocioni nga LDK-ja?
Kuçi: Krejt kjo çfarë po bën LDK-ja është çështje elektorale. Po të mos ishte kështu, të paktën do të komunikonin me mua si sekretar i përgjithshëm i partisë apo me zyrtarë të tjerë në AAK. Sikur të kishte seriozitet, së bashku do të koordinonim një tryezë të tillë për të arritur një konsensus kombëtar. LDK-ja është e pafuqishme për ta kërkuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Po ashtu, është e pavullnetshme për të qenë në pushtet sepse e di se epilogu i proceseve të mëdha nuk do të jetë i lehtë. Vendimet janë të mëdha dhe nuk besoj se ata kanë dëshirë që në këtë kohë dhe në harmoni me rrethanat që i kanë brenda në parti, t’i udhëheqin proceset e mëdha për vendin. LDK-ja nuk i ka as votat, as vullnetin dhe as guximin për të qenë në pushtet në këtë kohë kur pritet epilogu i dialogut me Serbinë.

 “Epoka e re”: Në këto rrethana edhe koalicioni qeverisës është i pafuqishëm meqë nuk e ka shumicën e thjeshtë në Kuvend.
Kuçi: Kjo është shumë e thjeshtë. LDK-ja dhe opozita në përgjithësi lë të kërkojnë mocionin për shkarkimin e Qeverisë. Më thjesht se kjo nuk ka. Pse nuk po e ngritin këtë mocion?

 “Epoka e re”: Ju po thoni se LDK-ja edhe po t’i ketë votat nuk ka guxim ta rrëzojë Qeverinë?
Kuçi: Po në një farë mënyre ashtu është. Ajo po dëshiron të kalojë një krizë të brendshme duke krijuar një lloj lidershipi si opozitë duke pasur parasysh edhe pozitën e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, LDK-ja po i bën këto për të dëshmuar se është partia e parë opozitare.

“Epoka e re”: Sipas kësaj që po thoni, AAK-ja nuk u frikësohet zgjedhjeve të parakohshme?
Kuçi: AAK-ja ka dalë shumë mirë në zgjedhjet e fundit, prandaj nuk kemi pse të frikësohemi. Përveç liberalizimit të vizave që do të ndodhë, jemi në pritje edhe të rezultateve të tjera të Qeverisë. Këto rezultate do të vijnë deri në fund të këtij viti dhe LDK-ja e di këtë, prandaj po mundohet disi ta amortizojë.

“Epoka e re”: Z. Kuçi, si do të jetë funksionimi i mëtutjeshëm i kësaj Qeverie?
Kuçi: Kryeministri Haradinaj është duke kryer punë të mira, por marketingun nuk e ka të mirë. Pavarësisht prej kritikave të shumta, qeverisja në aspektin strategjik po shkon konform zgjidhjes së sfidave që janë shumë të rëndësishme për Kosovën. Nuk po kemi problem sepse ligjet dhe çështjet e rëndësishme po aprovohen. Por, si parti dhe Qeveri jemi të interesuar të kemi një stabilitet edhe në votë, dhe këtë do ta zgjidhim shpejt.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka përfunduar rregullimi i…