Kuçi në Drenas ofron mbështetje për Liqenin e Vërbovcit dhe impiantin për ujëra të zeza

30 shtator 2020 | 17:10

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Blerim Kuçi ka vizituar të mërkurën Komunën e Drenasit, ku u prit nga kryetari Ramiz Lladrovci.

Në një takim të gjatë u diskutuan një sërë temash, që tashmë janë nën kompetencat e MEA-së, e që më parë kanë qenë të ndara në disa ministri.

Kryetari Lladrovci kërkoi që projekti për rregullimin e shtratit të lumit Verbica dhe Drenica, që po zhvillohet nga MEA, të fokusohet në kryerjen e punëve në fshatin Shtrubullovë.

Ministri Kuçi premtoi që punët në këtë projekt do të ecin sikur janë paraparë, teksa tregoi që Liqeni i Verbovcit është një projekt që pritet të ecë përpara me anë të kredisë së negociuar më parë me Qeverinë Hungareze.

“Ajo çka biseduam ishte për politikat zhvillimore që i ka komuna e Drenasit, në fushën ku jam unë ministër, konkretisht në çështjen e ujërave, trajtimin e ujërave të zeza dhe rregullimet ambientale, çfarë është edhe rregullimi i shtratit të lumit Drenica. Me rëndësi është se, ne jemi në një fazë fillestare por është e rëndësishme që ka të bëjë me një kredi hungareze për liqenin e Vërbovcit, që është me rëndësi jetike për qytetarët e komunës së Drenasit, për furnizim me ujë që është në fazë të mirë”, tha ministri Kuçi.

Krahas kësaj, me të parin e Drenasit u fol edhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza që është projekt në horizont dhe pret të ecë përpara. “Komuna e Drenasit dhe kryetari i komunës kanë bërë përpjekje maksimale duke rregulluar rrjetin e kanalizimit. Ne po bëjmë përpjekje për të gjitha mundësitë financiare, çfarë do forme, për ndërtimin edhe impiantin për trajtimin e ujërave të zeza”, ka thënë ministri Kuçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rezultat befasues është regjistruar edhe në ndeshjen e zhvilluar në…