Kufiri i Kosovës dhe taksa

14 shkurt 2019 | 12:17

Daut Xhemajli

Çështja e kufirit brenda shqiptarëve është çështje dhe vendim për të cilin asnjëherë deri tani nuk kanë vendosur shqiptarët, jo pse nuk kishim dëshirë e vullnete pak përpjekje, po neve nuk e kishin fuqinë politike e as ushtarake për të vendosur për fatin e kufirit. Me ose pa fajin e shqiptarëve, këta kufi janë produkt i interesave dhe pazareve të të tjerëve që e kishin fuqinë dhe i vendosën këta kufi, më shumë për interesa të tyre, prandaj këta kufi nuk paraqesin fare interesat dhe të drejtën historike, as edhe aktualitetin për shqiptarët.

Tani, debati për mbrojtjen e kufirit aktual apo edhe ndryshimin e tij në baza etnike mund të jetë i kotë, sepse ndryshimi i kufirit mbi baza etnike dhe me ndonjë marrëveshje të serbëve dhe shqiptarëve nuk do të jetë absolutisht i mundur në raportet e tanishme ndërkombëtare në Ballkan dhe raportet e fuqive vendimmarrëse në botë.

Aktualizimi i çështjes së kufirit dhe ndryshimit të tij në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka mundësi të ketë vetëm një interes për shqiptarët në përgjithësi, sepse shqiptarët kurrë nuk kanë qenë në pozitë më të favorshme ndërkombëtare në raport me Serbinë (së paku këto 20 vitet e fundit!), natyrisht nëse ky aktualizim do të ketë përkrahjen Amerikane dhe Evropiane, për stabilizimin afatgjatë të raporteve në Ballkan.

Do të ishte mirë nëse provohet me ndryshim të kufirit në baza etnike apo ndërrim të territorit mbi këtë bazë, por me një udhëheqje serioze ndërkombëtare, e cila do të përfundon me ndonjë marrëveshje shqiptaro-serbe, e cila sipas meje, kurrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranohet nga Serbia.

Pra, pas dështimit të një mundësie të tillë, ky debat duhet të bartet (vendoset) në temën e reciprocitetit, për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe të drejtat e shqiptarëve në territoret e banuara me shqiptar në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës). Ky debat i gabuar për kufirin, kështu si po bëhet nga shqiptarët, duhet të ndryshojë urgjentisht dhe duhet të jetë i koordinuar brenda Kosovës dhe Shqipërisë dhe domosdo duhet të jetë i koordinuar edhe me miqtë tanë ndërkombëtar dhe duhet të përfundoj i përqendruar te reciprociteti si alternativë dhe si zgjidhje.

Vetëm ky reciprocitet në trajtimin e “pakicave” (pasi nuk do të ketë ndryshim të kufirit dhe nuk mund të ketë as ndarje paqësore të Kosovës), pra duhet të insistohet dhe të binden edhe miqtë tanë për trajtim të barabartë të pakicave. Sa do që të kenë të drejta serbët e Kosovës, të njëjtat të drejta duhet të kenë edhe shqiptarët e Kosovës Lindore (Luginës). Kosova Lindore, është momenti i fundit të zgjohet (jo të lutet!) që të trajtohet seriozisht, drejtë dhe sipas të drejtës ndërkombëtare, që edhe atje të ndalet shtypja dhe diskriminimi nga shteti Serbisë.

Njësoj edhe për pakicën serbe në Kosovë është rasti i fundit të stabilizohet gjendja tij psikologjike, të hiqet dorë nga trajtimi i keq dhe i privilegjuar i saj dhe ajo të fillojë ta respektojë shtetin e Kosovës dhe trajtimin e drejtë dhe të veçantë që po i bëhet asaj në Kosovë.

Tema e kufirit të Kosovës me Serbinë po duket që po konsumohet shumë nga opinioni ynë në Kosovë dhe Serbi, për këtë ka qëndrime edhe të faktorëve ndërkombëtarë që vendosin për këtë çështje, prandaj ky problem duhet trajtuar institucionalisht dhe me kompetencë nga Kosova dhe Shqipëria, por jo sikur deri tani, që komunikimi po bëhet përmes konferencave për shtyp apo përmes rrjeteve sociale.

Debat për kufirin duhet të jetë shumë më serioz dhe më gjithëpërfshirës, debati duhet të bëhet jo për fushata zgjedhore dhe për folklor politik. Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të hapur për të gjitha opsionet e mundshme; për mosndryshim të kufirit, po edhe për ndryshime të kufirit në baza etnike, por në secilin rast duke respektuar edhe të drejtat e pakicave që ka Kosova dhe Serbia (nuk duhet lejuar debati i njëanshëm vetëm brenda Kosovës!). Prandaj, them që ky debat për kufirin, duhet të sillet (vendoset) te reciprociteti, i cili besoj se mund të zgjidhë problemet shqiptaro-serbe dhe mund ta stabilizojë situatën e sigurisë në Ballkan.

Tema e taksës duhet të mbyllet sa ma shpejtë dhe të bartet debati për tema më serioze për Kosovën, siç është reciprociteti, ku përfshihet edhe taksa e pezulluar dhe veprime tjera sipas nevojës, për ruajtjen e miqve tanë dhe për kërkimin e rrugëve për zgjidhje të qëndrueshme të problemeve shqiptaro-serbe.

Patatja e nxehtë, tani më në duart tona, duhet sa më shpejtë të hidhet, të dëgjohen miqtë e Kosovës dhe t’i jepet shansi dhe seriozitet dialogut, pse jo edhe një shtytje tjetër më ndryshe dialogut, dhe të ruhen miqtë tanë. Neve nga ky veprim për taksën urgjent nuk duhet të dalim të “lagur”, dhe veprimet tona institucionale nuk duhet të personalizohen dhe të shërbejnë për fushata elektorale.

Edhe opozita në Kosovë dhe Shqipëri nuk guxon të fërkoj duart, për të korrur “frytet” e dështimeve eventuale të politikave institucionale andej dhe këndej kufirit, sepse “frytet” pas secilit dështim për fatet e kombit janë të kalbura dhe nuk duhet të hahen!
Edhe diçka për fund, a thua e keni me gjithë mend që po mendoni e deklaroni sikur, zyrtarët e lartë shtetëror të ShBA-ve apo edhe të shteteve tjera serioze, munden për të quar letra dhe përshëndetje (selame) krye në vete për qëndrimet zyrtare të shteteve të tyre. Për këtë duket që po niseni nga vetja e juaj, që shtetin dhe institucionet e shtetit po i personalizoni me veten tuaj…! Ata zyrtar nuk janë dhe nuk guxojnë të jenë si ju!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti spanjoll hodhi poshtë projekt buxhetin e vitit 2019 të…