Kujtim Shala kërkon reformim të LDK-së: Duhet të rikthehemi si parti me mbështetje të gjerë popullore

18 qershor 2026 | 00:23

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka falënderuar votuesit dhe strukturat e partisë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar nevojën për një reflektim të thellë dhe rikthimin e LDK-së si një forcë me mbështetje të gjerë qytetare.

“Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që votuan për LDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit. Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë veprimtarët e LDK-së, të cilët nuk reshtën së punuari për partinë, as në periudhat më të vështira të saj. Rezultati i LDK-së është rezultat i punës së njerëzve të saj, i familjeve të tyre dhe i simpatizantëve. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar Shala.

Ai vlerësoi se rezultati i arritur nuk është i mjaftueshëm për të realizuar ndryshimet që synon LDK-ja, duke ngritur gjithashtu shqetësime për procesin zgjedhor.

“Procesi zgjedhor, ndonëse i rregullt nga aspekti administrativ, nuk garantoi zgjedhje të ndershme, pasi pushteti u keqpërdor për të manipuluar dhe korruptuar vullnetin politik. Megjithatë, një pushtet që manipulon dhe korrupton është problem më i vogël sesa një shoqëri që manipulohet dhe korruptohet në mënyrë masive”, theksoi ai.

Sipas Shalës, vota duhet të jetë shprehje e bindjes politike dhe të mbrojë dinjitetin e vetë qytetarëve.

Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe veprimtarëve të LDK-së që të angazhohen për rikthimin e partisë si një alternativë të fuqishme politike.

“Është koha të punojmë së bashku për të gjetur rrugën që LDK-ja të kthehet sërish në një parti me përkrahje të gjerë popullore, sepse vetëm si e tillë mund të jetë një parti e madhe dhe një alternativë politike fituese. Një LDK që mbështetet gjerësisht nga populli i Kosovës është kusht ekzistencial për shtetin tonë”, u shpreh ai.

Shala falënderoi në mënyrë të veçantë mbështetësit e tij, me votën e të cilëve u zgjodh deputet për herë të shtatë radhazi në Kuvendin e Kosovës.

“Në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësoj qëndrimet politike që para dhe gjatë fushatës i kam bërë publike dhe për të cilat më keni votuar. Faleminderit nga zemra. Na priftë e mbara!”, përfundoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatorja e Komiteteve në VV, Dejona Mihali, i është kundërpërgjigjur…