Kulla që mbajti heroizmin dhe traditat

06 nëntor 2018 | 15:26

Gjon Neçaj

(Në nderim të Shpend Bali Bishevës, patriotit nga Malësia e Gjakovës)

Komuna Margegaj shtrihet në veriperëndim të rrethit të Tropojës. Në veri kufizohet me Republikën e Malit të Zi, në jug me komunën Bujan e qytetin e Bajram Currit, në perëndim me rrethin e Shkodrës dhe në lindje me komunat Tropojë, Fshat e Llugaj. Ky fshat në analet e historisë sonë kombëtare njihet dhe përmendet për trimëri, mikpritje, besë e bujari.

Ndonëse Tropoja është një histori më vete, Margegajt janë pëllëmbë e histori. Bash në Margegaj, u zbraz koburja e parë e Revolucionit Demokratik të qershorit 1924. Ende sot qëndron si kështjellë e pamposhtur kulla ku u mblodhën trimat atdhetarë për fillimin e këtij revolucioni,duke dhënë shembull patriotik mbi tetëqind malësore me prijësin e tyre idhull,Bajram Currin.

Ndaj janë kuptimplote vargjet e këngës popullore që ka rezistuar brezave dhe kohëve: Muaji qershor për në Malësi, asht shenue në histori. Pushka e parë thonë ku ka krisë, Bash t’u gurët e Shpend Balisë. Po kush ishte Shpend Balia, personazhi i shkrimit tonë?

Shpend Balia ishte i biri i Bali Arifit,të fshatit Margegaj, fisi Krasniqe. Por për të portretizuar më qartë figurën e tij,duhet thënë dy fjalë për të atin,Bali Arifin. Balia i lindur në vitin 1830, rridhte nga një familje e varfër,por e ndershme,bujare dhe atdhetare deri në vetëmohim.

Gjithë jetën shokun më të ngushtë, e që kurrë s’iu nda, ishte grykëholla, siç i thoshte ai. Balia mori pjesë në luftë kundër ekspeditës turke të Maxhar Pashës,1862, kryengritjen e viteve 1864-19866,ku u dallua për trimëri, maturi dhe vendosmëri. Ai mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër pushtuesve të kohës për mbrotjejen e trojeve shqiptare.

Bali Arif Bisheva ishte pjesëmarrës aktiv në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe bashkëluftëtar me Haxhi Zekë Byberin. Pikërisht në oborrin e kullën së tij,u shkrep pushka e parë e Revolucionit Demokratik të Qershorit,e ku ka mbetur në memorien historike,se fillimi i Revolucionit plasi te “Gurët e Bali Arifit”. Ai vdiq si atdhetar dhe patriot i madh vitin e pavarësisë,më 1912,kur i biri i tij,Shpendi,tashmë ishte 47 vjeç.Shpendi kishte edhe dy vëllezër të tjerë,Tafën dhe Imerin. Shpendi i veçantë erdhi në jetë në vjeshtën e vitit 1865,duke u shoqëruar nga tre të shtëna pushke ,duke ushtruar luginës së Valbonës, e jehuan deri lart Bjeshkëve të Nemuna.

Duke u rritur, e duke u burrëruar,Shpendi mori tiparet,karakterin,mençurinë,burrërinë dhe trimërinë e të atit. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Pejë,te shtëpia e Haxhi Zekës,mik i të atit.

Duke u njohur me luftërat heroike dhe përpjekjet për çlirim kombëtar,u frymëzua dhe u brumos më shumë me ndjenjën e atdhedashurisë. Njëherazi shtëpia e tyre kishte lidhje të veçanta me familjen e Bajram Currit, e këto bënë që atdhedashuria të ngulitej thellë në bijtë e kësaj familjeje me zë dhe në themelet e kullës së tij. Gjatë viteve 1908-1910, Shpend Bali Bisheva mori pjesë në luftërat kundër forcave turke,grek e serbe,kurse në ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912,Shpend Balia ishte përfaqësues i Malësisë së Gjakovës (Tropojës).

Pas dështimit të revolucionit të Qershorit, përkundër të tjerëve që u arratisen jashtë vendit,siç shkruan shkrimtari dhe studiuesi Bedri Tahiri,Bajram Curri vendoset të tërhiqet në Malësi dhe të qëndrojë maleve të vendlindjes së tij,derisa mbyll jetën e tij heroikisht më 29 mars 1925 te shpella e Dragobisë. Tashmë Shpend Balia kishte bërë emër edhe si bashkëluftëtari më i ngushtë i “Plakut të Maleve” Bajram Curri.

Ai përndiqet nga forcat serbe,duke premtuar edhe para për ata që zbulojnë se ku gjendet “Baba i Krasniqes”. Por pas e përndjekin, pas disa kohësh e arrestojnë dhe e mbajnë të burgosur në Krumë. Fatmirësisht edhe Shpendi jetoi gjatë ,e ndonëse çlirimi i vendit e gjen në moshë të thyer,ai u përpoq të punonte dhe të ndihmonte vendin,duke dhënë mendime me vlerë,sugjerime e këshilla,por gjithnjë me zemrën të vrarë për çështjen e Kosovës nanë, siç i thoshte ai.

Ai mbylli sytë me nder në vitin 1957,në moshën 92 vjeçare. Pasardhësit e kullës së Bali Arif Bishevës,kanë ruajtur dhe trashëguar në breza traditat e të të parëve të tyre. Dini, ndjesë pastë,nipi i tij,i cili ka vdekur vitet e fundit,në nderim dhe krenari të të parëve ,njërit nga djemtë i ka vënë emrin Shpend,pra Shpend Bisheva i ri,intelektual, inxhinier. Gjurmët e lashtësisë ruhen nga familjarët ende sot e kësaj dite,te kulla e restauruar ,në Margegaj.

Ende në krahun e majtë të rrugë magjistrale,udhëtarin e përshëndesin krenarisht “Gurët e Bali Arifit” ,e pak më tutje si kështjellë heroizmi kulla e Shpend Bali Bishevës,apo i identifikuar tashmë në historinë tonë kombëtare edhe si Shpend Dragobia. E në mbyllje nuk mund të mos citoj thënien e një nacionalisti,krijuesi dhe intelektuali nga Malisheva e Kosovës, Izet Shala, i cili në një mesazh të kohëve të fundit,më shkruan: “E kemi amanet të ruajnë origjinën e shqiptarizmës, se kjo tokë për ndryshe nuk duron”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Prishtinës të martën është bërë prezantimi i…