Kumbara i Vuçiqit i përfshirë në përleshjen në Budva

16 gusht 2023 | 08:15

Kumbara i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Urosh Paniq, i cili njihet për një sërë skandalesh, vozitje arrogante dhe ofendime ndaj policëve, është gjendur në një përleshje që ka ndodhur në Budva në fund të korrikut dhe tani është shfaqur video e asaj ngjarjeje. Një nga të rinjtë që ka marrë pjesë në përleshje është nokautuar dhe më pas e kanë përplasur me makinë.

Mes dy grupeve të të rinjve nga Serbia ka shpërthyer një sherr dhe në videon mjaft shqetësuese shihet se çfarë ka ndodhur saktësisht. Në një moment një nga të rinjtë është rrëzuar nga banditët dhe ka përfunduar pa ndjenja në tokë. Më pas, siç e shihni, e kanë përplasur me makinë!

Mirëpo, redaksia e portalit Nova.rs ka marrë informacione jozyrtare se njëri nga të rinjtë që kanë qenë në vendngjarje është edhe Urosh Paniq, djali i Petar Paniqit, kumbarës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili njihet për skandale.

Policia paraprakisht tha për RTCG se ngjarja është raportuar më 25 korrik dhe se për kundërvajtje është lëshuar urdhër kundërvajtje. Ata thanë se prokurori deklaroi se nuk kishte elemente të veprës penale.

Sipas përfaqësuesve të policisë së Budvës të intervistuar nga RTCG, ata bënë gjithçka në fuqinë e tyre, mblodhën të gjitha informacionet, por asnjë nga akterët nuk donte të denonconte dhe i riu që sipas videos u përplas nga një makinë, pohoi se nuk ka pasur lëndime.

Kujtojmë se Urosh Paniq është i njohur për publikun e gjerë serb më herët për shkak të konflikteve të shumta me ligjin. Në Budva, ai tashmë shkaktoi incidente me makinën e tij BMË gushtin e kaluar. Më pas e kanë vërejtur policët që ishin në veturën zyrtare dhe kanë nisur ta ndjekin. Pasoi një arratisje dhe ai iku në hotelin ku kishte qëndruar.

Megjithatë, efektivët e policisë e identifikuan dhe e gjetën. Kumbari i Vuçiqit ishte gjobitur me 300 euro për kundërvajtje. Nuk mbaroi me kaq.

Më pas Paniqi me arrogancë e parkoi BMW-në e tij në një vend ku nuk i lejohej dhe sigurisht “merimanga” ia mori makinën. Në fund i ka paguar të dyja gjobat, ka marrë veturën dhe është larguar nga Budva”, ka thënë më herët bashkëbiseduesi i Nova.rs.

Paniqi i ri shpeshherë e dokumenton arrogancën e tij me video, e më pas i publikon në rrjetet sociale. Në ato video shihet duke fyer hapur policinë dhe duke u tallur se askush nuk mund t’i bëjë asgjë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Ukraina mund të detyrohet të pranojë të heqë dorë nga…