
Kumbulla: Zgjodha Mallorcan, sepse më dha besim
Marash Kumbulla ka mbërritur në Spanjë, gati për të nisur aventurën e tij të re me Mallorcan, të paktën për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi shqiptar, i lindur në vitin 2000, është transferuar nga Roma në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
Për 24-vjeçarin ky është një rikthim në futbollin spanjoll, pasi sezonin e kaluar ai ka veshur fanellën e Espanyolit.
Tani, ai do të kërkojë të fitojë një rol të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga trajneri i Mallorcas.
Pas mbërritjes, Kumbulla ka dhënë edhe fjalët e para: “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Zgjodha Mallorcan sepse trajneri dhe drejtori sportiv më dhanë besim”. Me këtë deklaratë, mbrojtësi kuqezi ka treguar vendosmërinë e tij për të qenë protagonist në La Liga dhe për të ndihmuar Mallorcan në objektivat e saj në sezonin e ri.