Kupa e Botës: Madibo pezullohet me 5 ndeshje për thyerjen e këmbës së Kones
Lojtari i Katarit, Assim Madibo, është pezulluar me pesë ndeshje nga FIFA për ndërhyrjen që i shkaktoi thyerje të këmbës mesfushorit kanadez, Ismael Kone, gjatë Kupës së Botës 2026.
Madibo u ndëshkua me karton të kuq direkt gjatë fitores 6-0 të Kanadasë ndaj Katarit, e zhvilluar javën e kaluar në Vancouver.
Komiteti Disiplinor i FIFA-s njoftoi se pezullimi është shqiptuar për faull të rëndë, ndërsa vendimi mund të apelohet.
Fitorja historike e Kanadasë u zbeh nga dëmtimi i rëndë i Kones, i cili u largua nga fusha me barelë dhe më pas iu nënshtrua një operacioni në këmbën e majtë.
Pas ndeshjes, Madibo kërkoi falje personalisht ndaj futbollistit kanadez, duke shfaqur keqardhje për incidentin.
“Nuk mund ta imagjinoni sa mirënjohës jam për të gjithë ata që më ndihmuan dhe që më kanë në lutjet e tyre”, ka shkruar më vonë Kone në Instagram.
Pezullimi i Madibos nuk është ndër më të rëndët në historinë e Kupës së Botës. Në vitin 2014, sulmuesi uruguaian Luis Suarez u pezullua me nëntë ndeshje dhe u ndalua nga çdo aktivitet futbollistik për katër muaj pasi kafshoi mbrojtësin italian Giorgio Chiellini.
Ndërkaq, në Kupën e Botës 1994, mbrojtësi italian Mauro Tassotti u pezullua me tetë ndeshje pas goditjes me bërryl ndaj sulmuesit spanjoll Luis Enrique.



