Kur bie frika, bie edhe regjimi
Shkruan: Hisen Berisha, ish deputet i Kuvendit të Kosovës
(Balotazhi i së dielës, referendum kundër mashtrimit politik, varfërisë së programuar dhe abuzimit me pushtetin.)
Nuk u mbajt seanca për votimin e mandatarit të dytë. Kishte zëra se do të mbahej sot, por të pushtuar nga frika se ashtu siç dështoi i mandatuari i parë, Kurti, për të siguruar shumicën, po ashtu do të dështoj edhe Konjufca në përpjekjet e “koalicionit të revolucionarëve me shamia të kuqe” për t’ia zgjatur jetën këtij procesi stërkeqës ndaj interesave të shtetit.
Arsyeja është e qartë për secilin: dihet që nuk i kanë votat.
Të vetëdijshëm se dështimi në zgjedhjen e mandatarit të dytë për kryeministër dhe dështimi për ta bërë qeverinë, një ditë para votimit në balotazhet për kryetarë komunash, do të lironte ndërgjegjen e qytetarëve të frikësuar, shantazhuar e abuzuar që të votojnë lirshëm kundër injorancës së këtij sekti politik, ata zgjodhën ta shtyjnë seancën – për të shmangur turpin elektoral.
Sepse, me dështimin e mandatit në Kuvend, e diela do t’i gjente pa pushtet dhe pa mundësi të shantazhonin njerëzit me vendet e punës, me presionet politike, me ndihmat sociale apo me pako të varfërisë; t’i blinin studentet me nga 100 euro njëherë në fundvit, apo me premtime të paligjshme nga pozita tashmë të delegjitimuara me vendim të Gjykatës Supreme, për buxhet miliardësh dhe pako babadimri.
Kjo është arsyeja pse pushteti improvizon dhe e shtyu sprovimin në Kuvend, për votat e mandatarit të radhës – jo sepse ka zgjidhje, por sepse ka frikë.
E di që qytetarët votojnë ndryshe kur nuk janë nën presion.
E di që kur bie pushteti, bie edhe frika.
Sot çdo qytetar e di: asnjë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç nuk i pati Kurti, nuk do t’i ketë as Konjufca, nuk mund të marrë më shumicën. Sepse populli e ka kuptuar që ky pushtet jeton vetëm për aq sa mund të frikësojë, të kërcënojë e të kontrollojë.
Por, asgjë nga këto nuk funksionon më.
Njerëzit janë të lodhur nga mashtrimi, nga varfëria e programuar dhe nga arroganca e një qeverie që u mburret në Kuvend se “mbështet 420 mijë qytetarë me ndihmë sociale”, duke harruar se para ardhjes së tyre në pushtet ishin vetëm rreth 60 mijë në nevojë.
Me politikat e tyre shkatërruese, me paaftësinë për të zhvilluar ekonominë dhe me dështimin për të krijuar punësim real, ata e kanë bërë popullin më të varfër, për ta mbajtur më të nënshtruar.
Kjo është filozofia e tyre e pushtetit: ta rrisin varfërinë për ta blerë bindjen.
Ky është “suksesi” i të majtëve socialistë të Lëvizjes Vetëvendosje, që në vend të zhvillimit sollën 13 kuzhina popullore dhe një shtet të mbërthyer në varfëri e propagandë, që u krijon ëndrra ndërsa rrënohen në çdo aspekt.
Dekreti i Presidentes për nominimin e z. Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër nuk është vetëm i diskutueshëm politikisht, por është i kontestueshëm në raport me kushtëtuten. Prandaj pres që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ti nënshtrohet testit të kushtetutshmërisë.
Amandamenti Kushtetues i vitit 2014, që ndryshoi nenin 95 të Kushtetutës, e përcakton qartë: pas dështimit të mandatarit të parë, Presidentja ia jep mandatin kandidatit tjetër vetëm nëse ai i dorëzon së paku 61 nënshkrime të deputetëve.
Ky rregull e konsumon përmbajtjen e pikave 2 dhe 3 të nenit 95, të cilat flasin për rendin e nominimeve nga partia fituese dhe më pas nga partia e dytë, por vetëm nëse ekziston shumica e garantuar prej 61 votash.
Pa to, çdo dekretim është i pavlefshëm, çdo nominim është improvizim politik dhe çdo vonesë është abuzim me Kushtetutën.
Kjo që po ndodh sot është përpjekja e fundit për ta mbajtur peng procesin politik, për ta trafikuar vullnetin e deputetëve dhe për ta përdorur Kushtetutën në shërbim të një grupi të vogël që mbron interesat e veta.
Presidentja, e cila në çdo rast duhej të ishte garant i neutralitetit institucional, po vepron si palë politike, duke i shërbyer mbetjes në pushtet të partisë së preferuar dhe duke kalkuluar përfitimin personal me pyetjen: “Ku jam unë?”.
Por ajo tashmë është e komprometuar publikisht. Sepse e gjithë filozofia e saj politike është ndërtuar mbi kompromis dhe përfitim.
Ashtu siç u bë presidente me vota të blera e të trafikuara, siç e kanë dëshmuar publikisht vetë ata që i dhanë votat në këmbim të premtimeve dhe pazareve, po ashtu sot përpiqet ta mbrojë me çdo kusht një regjim që po bie.
Por ka diçka që s’mund ta ndalë as Presidentja, as Kurti, as makineria e tyre propagandistike: ndryshimin që e ka vendosur populli.
E diela është më shumë se një balotazh për komunat – është një referendum kundër mashtrimit politik, kundër varfërisë së qëllimshme dhe kundër abuzimit me pushtetin.
Populli do të votojë për t’u çliruar nga frika.
Dhe kur frika bie – bie edhe regjimi.



