Kur “Gjarpijt e gjakut” e lexonim tinëz

30 korrik 2018 | 11:37

Bedri Zyberaj

Njeriu që javën e kaluar ndërpreu frymëmarrjen dhe të cilit i pushoi së rrahuri zemra, Adem Demaçi, ka qenë i veçantë. Jo vetëm për kohën e gjatë të qëndrimit në burg (sa keq më vjen kur e cilësojnë si Mandela i Evropës apo Kosovës, sepse Mandela kishte mbajtur 27 vjet burg, ndërkaq Demaçi një vit më shumë, dhe për ta vlerësuar të parin nuk duhet të emërtohet me emrin e të dytit. Përkundrazi, i dyti duhet të vlerësohet me emrin e të parit. Në këtë rast, Mandela që ka vuajtur 27 vjet burg ishte Demaçi i Afrikës sepse ky i dyti ka vuajtur 28), por edhe për shumë aspekte të tjera të jetës dhe veprimtarisë së tij.

Ka shumë prej ne të gjallëve që me këtë emër na lidh diçka e veçantë.
Unë për veten time mund të them se emrin e tij e kam dëgjuar kur kam qenë nxënës i klasës së tretë të shkollës fillore. Më vonë, vija duke u mbushur me informacion dhe sa më shumë që kalonin vitet, isha kureshtar të mësoja më shumë për të dhe nga ai. Atë botë, kuptohet që kureshtjen tonë e provokonte më së shumti romani i tij “Gjarpijt e gjakut”. Pavarësisht prej shumë përpjekjeve, atë nuk ia dola ta gjeja deri në nëntor të vitit 1986. Në atë muaj, më saktësisht më 9 nëntor, jam martuar (me një dasmë tradicionale ku kisha dhe bijtë e Sefës, shumica tanimë të ndjerë e Beqa dëshmor i kombit) dhe, përveç farefisit, kisha ftuar edhe disa profesorë të mi të fakultetit (prof. Qosjen, prof. Latif Berishën dhe prof. Fadil Sylejmanin, paçka se nuk erdhën!) dhe disa shokë. Një prej tyre ishte edhe Jakup Bajraktari.

Në pasditen e të shtunës, që ishte nata e dasmës (pra në pasditen e 8 nëntorit të vitit 1986), Jakupi kishte ardhur për dasmën time. Në një qese plasmasi kishte fut një dhuratë dhe kur vjen afër odës ku ishin burrat, të pranishmit që ishin gjendur aty në atë rast, i urojnë mirëseardhje dhe e ftojnë të hyjë brenda në odë. Në një rast të tillë, kuptohet se ai duhej t’i jepte dhuratën. Njëri, me besimin që Jakupi do t’ia jepte dhuratën për ta dërguar në shtëpinë time, i afrohet dhe, si për ta ndihmuar, i bën me shenjë që t’ia jepte dhuratën. Ky kuptohet se nuk e dinte se çfarë kishte brenda. Mirëpo, meqë jetonim në një kohë për të cilën dinë se çfarë ishte vetëm ata që e kanë përjetuar, Jakupi refuzon t’ia japë dhuratën dhe i pyet se ku është Bedriu.

Ata i tregojnë se në atë çast nuk isha aty, por do të vija pak më vonë. Atëherë ky u thotë se do të më pres derisa të vija unë e nuk do të hynte në odën e dasmorëve. Qesen nuk e kishte lëshuar nga dora! Pas një kohe unë arrij dhe përshëndetem me të. Ata që ishin të pranishëm aty më qortuan se pse u vonova, ngaqë Jakupi kishte pritur gjatë e kishte ngelur pa hyrë në odë qe sa kohë, duke pritur te dera.

Edhe mua m’u duk kjo gjë interesante.
E kujtoj se jam përpjekur ta tejkaloj atë çast disi me humor dhe pasi u përshëndeta me të, ai më mori lehtësisht për krahu e të dy u larguam paksa nga të tjerët që ishin aty.
Më tha:
– Shiko! Këtu, – dhe më tregoi qesen – ke dhuratën prej meje. Ama nuk pata guxim t’ia jepja askujt tjetër përpos teje dhe po të them të mos e hapësh për ta shikuar në prani të të tjerëve. Hape vetëm kur je vetëm. Tani shko dhe siguroje diku që të mos e shikojë çdokush sepse në dasmë ka çmos!
Unë ngela disi i habitur se nuk e merrja me mend se çfarë mund të kishte aty brenda dhe u bëra vërtet kureshtar.

Mora dhuratën, Jakupi hyri brenda dhe unë u nisa për në shtëpinë time ku ishte pjesa tjetër e dasmorëve. Pasi u largova ca dhe duke pasur parasysh këshillën e Jakupit që dhuratën mos ta shikonin të tjerët, kur pashë se isha larg syrit të të tjerëve, vendosa të shikoj se çfarë kishte aty. Kureshtja më torturonte nga brenda dhe ma mbyti durimin që duhej ta kisha derisa nuk shkoja në shtëpinë time.
E hapa!
Ç’të shoh?
Ishte libri i Adem Demaçit “Gjarpijt e gjakut” i botuar në Zvicër dhe portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut i gravuar në bakër.

Kjo ishte arsyeja që Jakupi nuk e kishte parë të udhës që dhuratën t’i linte në dorë dikujt tjetër ngaqë ata nuk i njihte. Për librin e Demaçit atëbotë, vetëm po të ta gjenin, dënoheshe së paku nja dy vjet burg. Dënoheshe, sepse ata e dinin se çfarë përfaqësonte dhe si funksiononte ky emër. Dhe nuk është se nuk ia kanë qëlluar!

Unë, me atë rast, u ndjeva jashtëzakonisht mirë dhe mu bë qejfi që më në fund më ra në dorë libri i Adem Demaçit, i njeriut, emri i të cilit është bërë shpresa e shpëtimit tonë. Kjo mund të tingëllojë paksa mitizuese por, në fakt, nuk duhet marrë kështu.

Kur them se emri i tij ishte bërë shpresa e shpëtimit tonë, kam parasysh faktin e idealit që përfaqësonte ai emër dhe jo të fuqisë fizike, sepse Adem Demaçi ishte njeri me trup të vogël, por me zemër të madhe ideale të shenjta për kombin tonë.
E tillë do të mbetet shëmbëlltyra dhe koha e tij pas ditës së nesërme!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Baci ka qenë njeri i dashuruar me lirinë. Kësaj dashurie…