
Kur individi ndeshet me vetveten dhe kolektivin
Ky libër, në rrafshin tematik, është vazhdim i romanit Misiri i vogël, i po këtij autori, botuar tri vjet më parë, në të cilin autori përsiat për veten, për shoqërinë, për botën që e rrethon.
Këtë libër herë e lexojmë si fiksion, herë tjetër si jetëshkrim. Brenda tekstit gjejmë shenja të autorit, por edhe të narratorit. Ato që i rrëfen narratori janë ide të autorit, janë pikëpamje të tij për individët dhe shoqërinë. Heroi i romanit gjendet para shumë dilemave të mëdha të cilat ia krijon shoqëria.
Në këtë libër autori trajton fatin e shkrimtarit dhe ballafaqimin e tij me shoqërinë. Përmes ndodhive personale, del sheshit fati i shkrimtarëve në shoqërinë e Kosovës. Nëse dikur shkrimtari ishte prijës popullor, sot ai është shtresë e harruar nga shoqëria madje, nëpërmjet gojës së narratorit homodiegjetik, shkrimtarët konsiderohen të çmendur dhe janë ose bëhen objekt talljeje. Por, nëpërmjet stoicizmit të narratorit Beqa mëton të tregojë se shkrimtaria nuk është thjesht një profesion a pasion, por mision.
Aq fuqishëm sa godet fenomene dhe dukuri në romanin e parë, aq shumë godet edhe në këtë libër dukuri dhe vese të tjera shoqërore. Ai nuk i ul heshtat as ndaj atyre me të cilët ka kaluar një pjesë të madhe të jetës.
Në këtë libër do të lexoni për politikën dhe për politikanët. Nuk do ta hasni autorin duke bërë politikë. Edhe pse nuk përmend emra të politikanëve dhe të politikave të këqija, është mjaft konkret, sepse përmend specifika të tyre. Këto raste të trajtuara për lexuesin semantik janë thjesht ide personale, kurse për lexuesin semiotik më tepër se kaq.
Albin Mehmeti