Kur pushteti të verbon dhe ligji të gjen
Shkruan: Hisen Berisha
(Pushteti është provë karakteri. Të gjithë e kalojnë, por jo të gjithë dalin të pastër.)
Një rast që duhet t’u shërbejë si mësim të gjithëve që sot janë në pushtet është ai i ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy. Njeriu që dikur ishte simbol i forcës, ndikimit dhe krenarisë republikane franceze, sot është një i dënuar ligjërisht, i cili po e shlyen dënimin e tij për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës presidenciale. Sarkozy është mbajtur në burgun “La Santé” në Paris që nga 21 tetori, pasi u shpall fajtor për lejimin e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe ndërmjetësve jozyrtarë të kërkonin fonde nga regjimi i Moammar Gaddafit për garën e tij presidenciale të vitit 2007. Nga një president i Francës, në një të burgosur të drejtësisë franceze. Ky është jo vetëm dënim ligjor, por edhe shenjë e pjekurisë së një shteti që nuk njeh të paprekshëm.
E ngjashme ishte historia e Helmut Kohl, kancelarit gjerman që hyri në histori si “babai i ribashkimit gjerman”. Por në fund të karrierës, u përball me skandalin e fondeve të fshehta të partisë, që tronditi vetë themelet e politikës gjermane. Pavarësisht meritave historike, drejtësia nuk e përjashtoi as atë. Në këto dy raste, demokracia dha një mësim të thjeshtë, por të madh: pushteti nuk është mburojë. Ai është përgjegjësi.
Në Kosovë, për fat të keq, kjo logjikë nuk ka hyrë ende në praktikën politike. Këtu, pushteti kuptohet si privilegj për të shpëtuar nga ligji, jo si detyrim për t’u nënshtruar atij. Kur shohim se si përdoren institucionet për mbrojtje personale, si sihet përherë dikush fajtor vetëm për opozitën, dhe si heshtin prokuroritë kur bëhet fjalë për njerëzit e pushtetit, e kuptojmë se Kosova ende nuk ka hyrë në stadin e përgjegjësisë demokratike.
Në një vend ku edhe dyshimet për korrupsion e abuzim me detyrën kalojnë pa pasoja, ku skandalet ekonomike mbulohen me patriotizëm artificial dhe ku drejtësia selektive ka zëvendësuar drejtësinë ligjore – rastet Sarkozy dhe Kohl duhet të jenë pasqyra morale për klasën politike kosovare.
Një lider politik dhe ushtarak nga Bosnja kishte thënë dikur: “Kur ngjitesh shkallëve të pushtetit, mos harro se një ditë do të duhet t’i zbresësh ato. Dhe ndoshta atë ditë, dikush do t’i heqë vetë shkallët – e ti do biesh.” Ky është paralajmërim i urtë për secilin që e sheh pushtetin si pronë personale. Sepse kur abuzon me të, rënia është e pashmangshme – e aq më e rëndë kur ndodh publikisht.
Kosova, herët a vonë, do ta arrijë momentin kur as pushteti, as propaganda, e as flamuri partiak nuk do të mbulojnë abuzimin me detyrën. Sepse drejtësia mund të vonojë, por nuk mungon përgjithmonë. Dhe atë ditë, shumë prej atyre që sot e përdorin shtetin për interesa personale, do ta kuptojnë se ligji është i njëjtë për të gjithë – ashtu siç e kuptoi Sarkozy dhe siç e mësoi Kohl.



