Kurban Bajrami në kujtesën time, festa e sakrificës, barazisë dhe shpirtit familjar

26 maj 2026 | 20:01

Ka festa që i kujton si ngjarje, por ka edhe të tilla që mbeten të gdhendura në kujtesë si ndjenjë. Për mua, Kurban Bajrami gjithmonë ka qenë më shumë se një festë. Ka qenë një atmosferë, një edukatë shpirtërore dhe një kujtim që rikthehet sa herë afrohen ditët e Bajramit.

Sot, kur e shoh me syrin e kohës, kuptoj se Kurban Bajrami ishte një shkollë e heshtur e besimit, sakrificës dhe solidaritetit. Në themelet e tij qëndrojnë vlera të mëdha njerëzore e hyjnore: barazia, përkushtimi, uniteti dhe kujdesi për tjetrin.

Kjo festë lidhet me haxhin, njërën prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtari shpreh dorëzimin e tij ndaj Krijuesit. Sa herë kam dëgjuar për Arafatin, gjithmonë më është dukur si fotografia më e bukur e barazisë njerëzore: miliona njerëz, pa dallim gjuhe, race apo kombi, të veshur njësoj, duke iu lutur një Zoti të vetëm. Në atë pamje nuk ka pasuri e as pozitë; aty mbetet vetëm njeriu dhe raporti i tij me Zotin.

Ndoshta pikërisht për këtë Kurban Bajrami gjithmonë ka pasur një ndikim të veçantë në shpirtin tonë. Nuk ishte vetëm një festë që pritej, por edhe një kohë reflektimi dhe afrie me familjen, farefisin dhe shoqërinë.

Sot, si i rritur, i kujtoj me mall përgatitjet për Bajramin në familjet tona. Disa ditë para festës fillonte një gjallëri e veçantë. Ata që kishin mundësi përgatiteshin për therjen e kurbanit, zakonisht dash apo dele, duke u kujdesur që gjithçka të ishte sipas rregullave fetare. Edhe ata që nuk kishin bagëti përpiqeshin ta siguronin një kurban, sepse kjo shihej si mirësi dhe bereqet për shtëpinë.

Më kujtohen tregjet e natës para Bajramit në fshatrat tona. Ishte një atmosferë që sot vështirë përshkruhet: njerëz që takoheshin, uronin njëri-tjetrin, bisedonin gjatë dhe blinin kurban për festë. Edhe si fëmijë e ndieja se ajo natë kishte diçka të veçantë, një qetësi dhe gëzim që nuk gjendej në ditët e zakonshme.

Pas faljes së namazit të Bajramit, në oborret e shtëpive therrej kurbani. Më ka mbetur në kujtesë përkushtimi me të cilin kryhej ky ritual: kafsha kthehej nga kibla, bëhej nijeti dhe, me fjalët “Bismilah, Allahu Ekber”, kryhej therja. Pastaj mishi ndahej dhe shpërndahej te farefisi, fqinjët dhe nevojtarët. Pikërisht aty e kuptoja se kurbani nuk ishte vetëm therje, por një mënyrë për ta ndarë gëzimin me të tjerët.

Ne, si fëmijë, bënim shumë pyetje: pse theret kurbani, pse ndahet mishi dhe pse kjo festë ka kaq rëndësi? Të moshuarit na përgjigjeshin me shumë dashuri e urtësi. Na tregonin për Ibrahimin a.s., për sakrificën dhe bindjen ndaj Zotit, por edhe për rëndësinë që askush të mos mbetej pa e ndier gëzimin e festës.

Po aq mbresëlënëse ishin edhe rrëfimet për haxhin. Në atë kohë, haxhinjtë ishin më të rrallë, por gëzonin respekt të madh. Kur ktheheshin nga vendet e shenjta, ne i dëgjonim me admirim teksa flisnin për Qabenë, Arafatin, Zemzemin, tavafin dhe Medinën. Përmes tregimeve të tyre, edhe ne e përjetonim disi atë atmosferë të shenjtë.

Sot, kur rikujtoj ato ditë, e kuptoj se Kurban Bajrami nuk na mësonte vetëm si të festonim, por edhe si të bëheshim më të mirë. Na mësonte sakrificën, respektin për familjen, kujdesin për nevojtarin dhe afrinë me Zotin.

Dhe ndoshta bukuria më e madhe e kësaj feste mbetet pikërisht aty: në faktin se ajo e afron njeriun me Krijuesin, por edhe me njeriun tjetër.

Në vigjilje të festës së Kurban Bajramit, në ditën e madhe të Arafatit dhe në prag të natës së Bajramit, duke kujtuar madhështinë e kësaj feste dhe vlerat e sakrificës, përkushtimit, solidaritetit dhe afrisë me Zotin, lusim Allahun që t’i pranojë ibadetet, lutjet dhe kurbanët tanë, të sjellë paqe, bereqet e mirësi në familjet tona dhe të forcojë dashurinë, unitetin dhe mirëkuptimin ndërmjet nesh. Uroj që kjo festë të na gjejë më pranë njëri-tjetrit, më të ndjeshëm ndaj nevojtarëve dhe më të përkushtuar ndaj vlerave të besimit e humanitetit.

Gëzuar Kurban Bajramin, me shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje!

Prishtinë, 26 maj 2026
Ramadan Shkodra

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, dhe numri…