Kurteshi: Nuk e votojmë demarkacionin

16 mars 2018 | 12:41

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh sekretar organizativ i kësaj lëvizje, Ismajl Kurteshi, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim karshi marrëveshjes për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Vetëvendosja është kundër izolimit të Kosovës, por nuk mund ta votojë versionin aktual të demarkacionit. Sipas tij, përgjegjësit e këtij izolimi duhet ta gjejnë rrugën për të dalë nga kjo situatë.

Kurteshi ka theksuar se populli po paguan faturat e politikanëve të korruptuar. Ai është shprehur i pakënaqur me mënyrën e qeverisjes në vend dhe, sipas tij, kjo Qeveri është duke humbur legjitimitetin dhe besimin qytetar

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, së shpejti pritet të thirret vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme në të cilën pritet të ratifikohet marrëveshja për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. A ka ndryshuar qëndrim Lëvizja Vetëvendosje karshi demarkacionit?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim sepse nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me demarkacionin. Është e njëjta situatë. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë demarkacionin kurdo që kjo çështje të vijë në Kuvend.

“Epoka e re”: Partitë që dikur e kanë kundërshtuar demarkacionin së bashku me Vetëvendosjen, AAK-ja dhe Nisma, tani po e mbështesin demarkacionin, pasi po thonë se gjërat kanë ndryshuar pas raportit të komisionit të Bulliqit dhe deklaratës së dy presidentëve.
Kurteshi: Ka ndryshime në synime, por në esencë votohet i njëjti projektligj të cilin ata e kanë kundërshtuar bashkë me ne për dy vjet. Kështu që, nuk ka ndryshime në situatë dhe në projektligj, por vetëm ka ndryshim të Aleancës dhe Nismës.

“Epoka e re”: Por deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosja ka “rrezik” ta votojnë demarkacionin?
Kurteshi: Për deputetët që tashmë nuk janë pjesë e Vetëvendosjes nuk mund të them asgjë sepse nuk e di se si do të veprojnë ata.

“Epoka e re”: Pse po e lejoni fuqizimin e Listës Serbe duke mos e votuar demarkacionin?
Kurteshi: Përgjegjësinë për bashkëpunim me Listën Serbe, gjegjësisht me Beogradin, e marrin ata që janë të gatshëm të punojnë me Beogradin në dëm të interesave të vendit. Nëse dikush është i gatshëm të punojë me Beogradin nuk ka mundësi ta pengosh edhe sikur ta përkrahesh demarkacionin. Ne nuk i përkrahim çështjet e dëmshme për vendin. Përgjegjësinë e votimit të demarkacionit, ku falën 8 200 hektarë tokë të Kosovës, e marrin ata që po e votojnë. Projektligji duhet të kalojë në procedurën e votimit, duke kaluar apo moskaluar. Bllokadën është duke e bërë Qeveria e Kosovës dhe kësaj i ka kontribuar edhe Kryesia e Kuvendit. Kuvendi është shndërruar në instrument të realizimit të projekteve të Serbisë përmes njerëzve të cilët u janë nënshtruar këtyre interesave nga presioni që po e bën edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar. Ambasadat e huaja në Kosovë, Kuvendin e kanë shndërruar si vend të dytë të punës së tyre. Kuvendi e luan rolin e vet vetëm atëherë kur deputetëve u lejohet të votojnë sipas bindjeve të tyre e jo të votojnë sipas interesave, sugjerimeve apo presionit të kujtdo qoftë. Ky është cenim i rëndë i demokracisë edhe nga ambasadat edhe nga ata që e kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit. Ambasadat po bëjnë presion dhe nuk po e lënë Kuvendin të funksionojë normalisht ashtu siç funksionojnë kuvendet në vendet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje qëndrimet e veta i ndërton duke u bazuar në dobinë apo dëmin që e sjellin projektligjet dhe nuk merret me numrat e koalicionit qeverisës. Nuk na intereson dhe nuk merremi me numrat e pozitës me apo pa Listën Serbe.

“Epoka e re”: Jeni të vetëdijshëm se qytetarët e Kosovës edhe më tutje janë të vetmit në rajon që nuk e gëzojnë të drejtën për liri të lëvizjes pa viza në Evropë. Pse duhet ta paguajnë qytetarët faturën e politikanëve të cilët nuk e kanë problem pajisjen me viza?
Kurteshi: Po, është e vërtetë se populli po paguan shumë fatura të politikanëve të korruptuar të cilët, të vetmin shqetësim e kanë fatin e vet dhe të grupeve të interesit. Këta politikanë e kanë përgjegjësinë kryesore për këtë izolim. Ne jemi kundër këtij izolimi, por nuk mund ta votojmë këtë version të demarkacionit i cili është i dëmshëm për vendin. Këtë izolim ata e kanë sjellë sepse Kosova, falë tyre, është bërë vend i korruptuar, si dhe kanë pranuar që demarkacioni të jetë kusht për liberalizimin e vizave. Përgjegjësit e këtij izolimi duhet të gjejnë rrugë për të dalë nga kjo situatë. Të falësh tokë, kjo është përgjegjësia më e lartë që mund t’i takojë një deputeti të ndërgjegjshëm. Vetëvendosja dhe votuesit e saj nuk e përkrahin faljen e tokës për viza.

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, më herët i akuzuat ambasadat se po u bëjnë presion deputetëve dhe po përzihen në punët e Kuvendit. Po harroni se janë pikërisht këto ambasada që kanë ndihmuar Kosovën për të ardhur deri këtu.
Kurteshi: U jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë përkrahur Kosovën për të ardhur deri këtu. Asnjëherë nuk e kontestojmë përkrahjen e tyre dhe rëndësinë e bashkëpunimit me ta. Mirëpo në pikën e demarkacionit ata nuk e kanë mirë dhe nuk i përkrahim. Sipas të gjithë dokumentacionit, vija e kufirit ka ndryshuar. Pra, projektligji është për një vijë të re të kufirit me Malin e Zi. Prandaj, ne jemi për bashkëpunim me ndërkombëtarët, por nuk jemi për ta dëmtuar vendin me 8 200 hektarë tokë.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për medie ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, por një prej deputetëve të saj, Ali Laçi, në seancën e së mërkurës ka thënë se nuk jeni të gatshëm për procese zgjedhore. Është apo nuk është Vetëvendosja e gatshme për zgjedhje të reja?
Kurteshi: Natyrisht si opozitë ne nuk jemi të kënaqur me këtë mënyrë të qeverisjes. Dhe kur ka shumë vërejtje në qeverisje subjektet opozitare kërkojnë zgjedhje të reja. Kërkesa për zgjedhje të reja është qëndrim zyrtar i Vetëvendosjes. Kjo qeveri, e cila po bën gabime, po i ndryshon qëndrimet për çështje të rëndësishëm siç është demarkacioni, po e humbet legjitimitetin dhe besimin qytetar.

“Epoka e re”: Vetëvendosje po kërkon zgjedhje të reja, por nuk i ka fort mirë punët brenda. Edhe më tutje po vazhdon përçarja brenda saj. Deri më tani janë larguar 13 deputetë, dy kryetarë të komunave si dhe aktivistë të tjerë.
Kurteshi: Ky është perceptimi juaj nga jashtë, por Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt i konsoliduar. Është e vërtetë se ka pasur disa dalje, por numri i atyre që kanë ardhur është pakrahasueshëm më i madh me numrin  e atyre që kanë dalë. Numri i deputetëve është zvogëluar, por përkrahja është rritur. Vetëvendosja në zgjedhje të ardhshme, kurdo që mbahen, do të ketë përkrahje të madhe të qytetarëve sepse qytetarët e dinë se Vetëvendosja është partia e vetme që mund t’i bëjë ndryshimet e duhura në këtë vend.

“Epoka e re”: Largimi i pothuajse shumicës së figurave të rëndësishme dhe deputetëve nuk  e rrezikojnë funksionimin e mëtutjeshëm të Vetëvendosjes?
Kurteshi: Jo, absolutisht. Ata kanë qenë në politikë edhe më herët, madje kanë pasur subjekte në vete, por kanë pasur një përkrahje shumë të vogël. Atyre u është rritur përkrahja derisa kanë qenë në Vetëvendosje, por duke shkuar nga Lëvizja nuk do ta gëzojnë më këtë përkrahje. Ata kanë shkuar me dëshirën e tyre dhe tash veprojmë si dy organizime të veçanta politike.

“Epoka e re”: Por në Kuvend po vazhdoni të uleni bashkë.
Kurteshi: Ulja me një vend nuk dëshmon edhe për ndonjë bashkëpunim të mëtutjeshëm. Ata nuk vijnë në mbledhje të grupit parlamentar dhe funksionojmë ndaras.

“Epoka e re”: Vetëvendosja a do të jetë opozitë në Prishtinë pas largimit të kryetarit Shpend Ahmeti?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje ka strukturë të organizuar mirë në Prishtinë dhe ka kuadro të mira, të cilat do ta kenë përkrahjen e madhe të qytetarëve. Aktualisht nuk e di a do të jetë në opozitë Vetëvendosja në Prishtinë, sepse një vendim të tillë e merr Këshilli i Përgjithshëm, i cili mblidhet çdo tre muaj.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Tahiri është emëruar sot nga Qeveria e Republikës së…