Kurti: 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës dhe ditëlindja e Vetëvendosjes

12 qershor 2019 | 13:17

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për medie me rastin e 14-vjetorit të themelimit të kësaj lëvizje.

Ai ka thënë se 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës dhe ditëlindja e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kur çlirimi kishte mbushur 6 vjet dhe pavarësia po shtyhej prej vitit në vit, lindi Lëvizja Vetëvendosje. 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës, por edhe ditëlindja e Lëvizjes sonë. Para 14 vjetëve, në murin që ndante selinë e pushtetit të UNMIK-ut prej neve që asokohe konsideroheshim banorë të Kosovës dhe jo qytetarë shkruam parullën ‘jo negociata – Vetëvendosje!’”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se nga ajo kohë, përveç kritikës, Lëvizja ka paraqitur përherë edhe alternativa.

Në këtë kuadër ai ka përmendur fushatën për bojkotimin e produkteve të Serbisë në Kosovë që filloi në maj të vitit 2006, fushatën ‘Blej Shqip’ në shtator të vitit 2009 dhe fushatën ‘Duaje tënden’ për rritjen e konsumit të prodhimeve vendore në vitin 2011.

“Kemi kundërshtuar planet dhe ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë dhe kemi argumentuar e jemi angazhuar për afrimin e bashkimin me Shqipërinë. Mirëpo, ne nuk e shohim bashkimin e këtyre vendeve tona përmes dobësimit apo dështimit të shteteve tona, por nëpërmjet forcimit të tyre”, është shprehur Kurti, duke shtuar se ‘PANhajnia’ e zullumit në politikë dhe e tajkunëve në ekonomi duhet të marrë fund e do të marrë fund.

Kurti ka rikujtuar se gjatë aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje janë vrarë aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini kurse në burg është mbytur aktivisti Astrit Dehari.

“Në rrugëtimin tonë, nuk jemi sprapsur e as nuk jemi ndalur, nuk kemi devijuar dhe as s’jemi lodhur, edhe kemi bashkëpunuar me të tjerë edhe dyert i kemi pasur të hapura për të tjerët, për të mirën e vendit dhe interesin e përgjithshëm kemi ecur drejt e qartë, fortë e fuqishëm”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk ka pasur më shumë mbështetje dhe se në zgjedhjet e ardhshme PAN-i do të mundet, e Kosova do të shpëtojë, e do të përparojë.

“Ndryshimi demokratik e progresist do të jetë ai në të cilin opozita e vërtetë dhe e drejtë bëhet qeverisje e ardhshme e mirë. Vetëvendosje sot është mundësia për qytetarët e Kosovës dhe garancia për Republikën e Kosovës. Nesër ajo do të jetë qeverisja që shërben e mbron, që rrit produktin, buxhetin dhe punësimin, që siguron drejtësinë, paqen dhe dinjitetin”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë deputeti Liburn Aliu ka përmendur shkrimin e parullës ‘Jo negociata – Vetëvendosje!’ në murin e UNMIK-ut si aksionin e parë që hapi një valë të re të aktiviteteve të shumta politike në funksion të pengimit të proceseve të dëmshme që po i gatuheshin Kosovës asokohe.

“Ne donim që liria e Kosovës të ndërtohej mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe jo përmes negocimit me pushtuesin. Ishim të bindur se liria dhe zhvillimi i vendit do të jenë të qëndrueshme vetëm duke u bazuar në këtë vullnet”, ka thënë ai duke theksuar bindjen se negocimi do të kishte për bazë vetëm stabilitetin e përkohshëm dhe jo lirinë, barazinë dhe të drejtat që ne si popull po i kërkonim.

“Tubime, aksione, deklarime dhe punë e shumtë vullnetare dhe e përditshme në çdo qendër të Kosovës u zhvilluan nga vera e vitit 2005. Këto u shoqëruan me arrestime dhe dhunë të përditshme por ne nuk u zmbrapsëm ngase ishim në rrugën e drejtë të kundërshtimit të planit të negociatave me Serbinë”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka kujtuar se Lëvizja nga takimet e vogla kaloi në tubimet e mëdha, ndërkohë që pushteti vetëm sa shtonte radhët e policëve.

“Në çdo përvjetor, në ligjërimin tonë mbeti përherë e njëjtë një fjali, jemi më të fortë se vitin që shkoi. Edhe sot, ne jemi më të fortë se kurdoherë deri më tani dhe të tjerët janë më të dobët se kurdoherë deri më tani”, ka theksuar Aliu, duke shtuar se lëvizje të tilla ka pas çdo herë përgjatë dekadave të shkuara, dhe se Lëvizja është vetëm një vazhdimësi e përpjekjes së një kombi të vogël drejt forcimit të vet.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit të Amerikës, Matthiew Palmer, në ceremoninë…