Kurti: Asnjë pension nën 100 euro, vlerë të shtuar për FSK-në, e shtim të ekspertizës për reforma

12 janar 2022 | 20:12

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në mbledhjen e parë të Qeverisë për këtë vit, për herë të parë miratuan një ligj që definon saktë pronën publike, siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Për të rritur mirëqenien sociale, në përmbushje të zotimit tonë, morëm vendim për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale. Asnjë pension nën 100 euro”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ka shtuar se me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse, morëm vendimin e radhës për pagesën e 580 specializantëve me vetëfinancim/vullnetar, në vlerë financiare prej 2.748.560 euro.

“Për të përshpejtuar reformën në sektorin publik, themeluam Njësinë për Ekspertizë brenda Zyrës së Kryeministrit. Themeluam edhe Këshillin Kombëtar për Ndryshime Klimatike. Emëruam Komisionin Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, si organ jashtëzakonisht i rëndësishëm për proceset zhvillimore të vendit”.

“Me qëllim të tejkalimit të sfidave për realizimin e mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, familjeve të tyre, dhe për gjithë shoqërinë, emëruam kryetaren e re të këtij komisioni”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në këtë mbledhje të Qeverisë siguruan vlerë të shtuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me rregullimin ligjor për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjashtë viktima dhe 1905 raste të reja me Covid-19, janë…