Kurti bisedon me Blinkenin: Aleanca në mes të Kosovës dhe Amerikës mbetet e palëkundur

06 shtator 2021 | 16:46

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se ka zhvilluar telefonatë me sekretarin e Shtetit amerikan, Antony Blinken.

Kurti ka bërë me dije se me Blinkenin ka biseduar për pranimin e afganëve në Kosovë, duke shtuar se do t’iu ofrojë ambient të sigurt.

Më tutje, ai është shprehur se aleanca në mes të Kosovës dhe Amerikës është e palëkundur.

“Vlerësimi për mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë. Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me ShBA është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Twitter”.

Të hënën gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.

Sveçla ka treguar se përveç kampit “Bechtel-Enka” në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, “Bondsteel”. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.

Po ashtu, ministri Sveçla ka bërë me dije se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave. Më herët, autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Ata pritet të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për t’u vendosur përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Grupi i parë i afganëve arriti në Kosovë më 29 gusht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i FC Dritës, Muharrem Jashari është lojtari më i…