Kurti dhe Osmani po shkatërrojnë gjithçka, Hyseni i LDK-së kërkon një front të përbashkët opozitar që t’i kundërshtojë politikat e tyre

19 nëntor 2022 | 13:10

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, i ka bërë thirrje opozitës për të kundërshtuar politikat e Albin Kurtit të cilat i cilëson si rrënuese dhe sipas tij të noteres së tij, Vjosa Osmani, për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovë në izolim të plotë.

Sipas Hysenit, Kurti dhe Osmani po shkatërrojnë çdo gjë që është ndërtuar për 30 vjet në Kosovë.

“Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar për të kundërshtuar politikat rrënuese të Albin Kurtit dhe noterës së tij Vjosa Osmani është misioni më i rëndësishëm politik e nacional sot. Është thirrje dhe alarm për të parandaluar rrëshqitjen e Kosovës në izolim të plotë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”.

“Është koha e fundit që opozita parlamentare, PDK, LDK dhe AAK, në rend të parë por edhe ajo jashtëparlamentare e sociale të rreshtohen qartë dhe pa kalkulime kundër popullizmit neokomunist të Kurtit dhe Osmanit”.

Megjithatë, për Hysenin as krerët opozitarë ‘s’janë të mirë’.

“Pozicionimi konformist i Krasniqit dhe Abdixhikut, në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit është i papranueshëm. Ato gabime mund të jenë të pariparueshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Mes tjerash, Hyseni vlerëson se Qeveria duhet t’i pranojë rekomandimet amerikane dhe të mos mbetet peng i lojërave me targa dhe se dialogu me Serbinë duhet të jetë prioritet mbi gjithçka tjetër.

“Kosova është shtet, mbi të gjitha falë përkrahjes së pakursyer e vendimtare të botës dhe demokracive perëndimore me në krye SHBA-të! Qeveria e Kosovës duhet patjetër të pranojë rekomandimet e partnerëve të vendit tonë që të mos mbetet peng i lojërave me targa. Opozita duhet të jetë e qartë dhe me zë të lartë të kundërshtojë lojërat mashtruese politike të Kurtit. Ndryshe, të gjithë së bashku po futen thellë e më thellë në grackat e politikës diverzive serbe”.

“Rruga e vetme përpara është forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo partie politike në Kosovë”, ka shkruar Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të…